Vriten 4 amerikanë në Afganistan, sulmohet baza ajrore

12/11/2016 00:00

Një kamikaz vrau katër amerikanë brenda bazës ajrore Bagram, baza më e madhe amerikane në Afganistan. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Ashton Carter tha se dy ushtarakë dhe dy kontraktorë humbën jetën si pasojë e këtij sulmi.

16 ushtarë të tjerë amerikanë dhe 1 polak mbetën të plagosur. Talebanët morën përsipër sulmin që përtej numrit të viktimave, është një dështim i madh sigurie në mbase vendin më të mbrojtur në Afganistan.

Baza Bagram është sulmuar nga militantët edhe në të shkuarën, por brenda saj nuk kishte shpërthyer kurrë një bombë. Bagrami gjendet në veri të kryeqytetit Kabul dhe është përdorur si bazë ushtarake dhe ajrore nga forca amerikane e ato të NATO-s që prej 14 vjetësh.

Zyrtarë lokalë afganë thanë se kamikazi mundi që të hyjë në bazë bashkë me punëtorët afganë që punojnë aty.

Kjo nuk është konfirmuar nga ushtria amerikane, ndërsa ekspertët thonë se nëse është vërtetë kështu, tregon një dështim serioz të sigurisë. Bagrami ruhet shumë mirë dhe ka disa kordone sigurie, pa llogaritur kamerat e pajisjet e teknologjisë së lartë. Jo më kot është vendi ku ulen avionët presidencialë, pikërisht për sigurinë që ofron.

Por nëse një kamikaz mund t’i kalojë ato kaq lehtë, madje duke pasur edhe eksplozivë me vete, do të thotë se ka ardhur koha për një rishikim të protokolleve të sigurisë.

Top Channel