Totozani: Reforma në drejtësi të garantojë të drejtat themelore

10/11/2016 00:00

Avokati i Popullit, Igli Totozani gjatë një takimi të zhvilluar në qytetin e Korçës është ndalur tek reforma në drejtësi, të cilën e ka konsideruar jetike në 3 drejtime kryesore.

Edhe pse ka qëndruar jashtë shprehjes së mendimit lidhur me aktorët pengues të kësaj reforme, avokati Totozani ka theksuar se në gjithë historinë e shtetit tonë ekzekutivët e kanë tejkaluar kufirin që ka vendosur ligji dhe kjo i ka bërë ata shkelës të të drejtave të njeriut.

“Ekzekutivi dhe pushtetet e tjera duhet të jenë të kufizuara nga ligji, ky është përkufizimi i shtetit të së drejtës. Në historinë tonë 100-vjeçare si shtet, ekzekutivët e kemi pasur të vështirë t’i mbajmë brenda ligjit, ato e kanë tejkaluar këtë kufi. Nuk duhet ta tejkalojnë, sepse nëse një organ shtetëror kalon kufirin atëherë ai bëhet dhunues i ligjit. Për të mos lejuar këtë është pushteti gjyqësor. Reforma në drejtësi është jeta jonë e ardhshme”, ka deklaruar Totozani.

Sipas tij, pushteti gjyqësor duhet të jetë transparent, efiçent, i pavarur, i drejtpërdrejtë me qytetarët dhe i parashikueshëm.

Gjatë takimit me qytetarët të zhvilluar në vazhdën e turit që institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë në gjithë vendin, në Korçë janë evidentuar problematika të fushave të gjera, me drejtësinë, rrugët, moszbatim vendimesh, etj.

Top Channel