Meta: Demokracia amerikane ka funksionuar si mrekulli amerikane

09/11/2016 00:00

Demokracia amerikane ka funksionuar si një mrekulli amerikane është shprehur kreu i Kuvendit, Ilir Meta për zgjedhjen e Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Demokracia amerikane ka funksionuar si një mrekulli amerikane. Edhe zgjedhja e z. Trump, por edhe raporti i znj. Clinton me të, duke e uruar dhe vlerësimi i tij për rivalen, znj. Clinton pas përfundimit të kësaj gare, tregojnë qartë që Amerika është një vend me një dinamikë të jashtëzakonshme demokratike dhe është një vend i vendosur për të ecur përpara dhe përmes debatit, por në fund fare, gjithmonë përmes bashkimit”, është shprehur z. Meta.

Për kreun e Kuvendit këto zgjedhje duhet të jenë një reflektim për të përfituar eksperiencë, duke pasur parasysh se Shqipëria hyn në një vit zgjedhor.

“Nuk besoj se duhet të kopjojmë, duhet të reflektojmë, duhet të mësojmë, duhet të përfitojmë nga kjo eksperiencë, dhe nga këto eksperienca. Në radhë të parë për të kuptuar më mirë mesazhin që kërkojnë qytetarët”, tha ai.

Top Channel