Reshjet zhvendosen në jug, Shtabi i Emergjencave masa për Vjosën

09/11/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë mëngjes Shtabin e Emergjencave për të bërë një analizë të situatës pas reshjeve të dendura të një dite më parë. Zhvendosja e reshjeve të dendura në jug ka rritur masat në prefekturat e Gjirokastrës, Vlorës dhe Fierit.

Kryeministri tha se falë pastrimit masiv të kanaleve dhe investimit në disa segmente pas përmbytjeve të mëparshme e ka relaksuar disi situatën.

“Besoj që situata në zonën e jugut do të jetë e rënduar sipas parashikimeve por ndërkohë kemi parë që masat që kemi marrë duke bërë pastrime masive të kanaleve dhe duke investuar në disa segmente pas përmbytjeve të mëparshme, e kanë sidoqoftë relaksuar goxha situatën”, tha Rama.

Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi bëri të ditur se është njoftuar dhe pala greke, lidhur me vërshimet e Vjosës. “Po testojmë prurjet e Vjosës nga ana jonë, në Gjirokastër dhe Tepelenë dhe është vlerësuar situata. Për këtë janë njoftuar prefektët e të gjithë rajonit”, tha Premçi. Vetëm për jugun ministria e Mbrojtjes ka angazhuar 300 forca.

Premçi theksoi se i është kushtuar mjaft rëndësi paralajmërimit të njerëzve për evakuimin. Kjo pasi, sipas kreut të Emergjencave, në rastet e mëparshme banorët nuk i janë përgjigjur thirrjes për evakuim, dhe kanë vështirësuar operacionet e emergjencave civile.

Top Channel