Ku mbështeten kandidatët, minoritetet “pro” demokratëve. Trump ka në krah të bardhët

09/11/2016 00:00

Sondazhet që kanë ndjekur hap pas hapi përgjatë gjithë garës elektorale preferencat e elektoratit për kandidatët e vendosur përballë njëri-tjetrin në betejën epike të Shtëpisë së Bardhë, nxjerrin në pah veç të tjerash edhe një tjetër element jo me pak peshë në votimin e 8 nëntorit: ndarjen e Shteteve të Bashkuara në linja demografike.

Pasqyra e tyre tregon një shtet ku meshkujt dhe të bardhët priren të mbështesin republikanët, ndërsa gratë dhe minoritetet etnike vërshojnë drejt kahut demokrat. Mosha, raca dhe arsimimi janë faktorët vendimtarë në fatin e zgjedhjeve presidenciale. Katër vjet më parë, Mitt Romney gëzonte mbështetjen e 56% të të bardhëve, por Obama fitoi zemrat dhe votat e 9 prej 10 votuesve jo të bardhë dhe 19 prej 20 afrikano-amerikanëve. Joshja e tyre drejt të parit president me ngjyrë të Amerikës, ishte asokohe mëse e kuptueshme, por pakicat etnike edhe këtë herë, duket se tërhiqen nga demokratët. Donald Trumpin e përkrahin vetëm 17 përqind e hispanikëve dhe tre % e personave me ngjyrë.

Komentet debatndjellëse të miliarderit mbi meksikanët, përshkrimi i tyre si njerëz me “shumë probleme”, si përdhunues që “fusin drogën në vend”, logjikshëm, ndikuan mbi përkrahjen e tij nga komunitetet hispanikë. Pas etiketimesh të tilla, kush do ta mbështeste në fund të fundit në radhët e këtij segmenti të elektoratit.

Lëvizja nuk ishte megjithatë farë e pamend. Ajo kënaqi egon e atyre amerikanëve të bardhë që nuk reshtin së shprehuri lodhjen dhe pakënaqësinë ndaj vërshimit të klandestinëve nga shteti fqinj. Por hispanikët përbëjnë gati një të pestën e popullsisë në katër shtete kyçe. E para, Florida, e konsideruar me kohë si vendimtare në ditën e përzgjedhjes së kreut të ri të shtetit amerikan. Probleme të ngjashme Trumpi nuk është çudi të hasë edhe në Georgia, ku personat me ngjyrë përbëjnë 31% të popullatës dhe Karolinën e Veriut që një në pesë rezidentë e ka afrikano-amerikan.

Gjinia është kthyer çuditërisht këtë herë në një linjë të thellë përçarëse.

Ka sondazhe që tregojnë një hendek dyshifror mes mbështetjes se meshkujve dhe femrave për kandidatët presidenciale në këto zgjedhje. Jo se nuk është vënë re më parë, në 2012-n 53% e meshkujve anonin nga Romney dhe 57% e grave nga Obama, por sivjet është përvijuar shumë më ashpër. Edhe në këtë rast, një pjesë e madhe e problemit buron nga gjuha e gjatë e Trump-it vetë dhe komentet e tij përçmuese për gratë. Kupa u mbush pastaj me akuzat për agresion seksual. Ishte ndihma më e mirë që Clinton mund të merrte nga kundërshtari i saj.

Edhe ato femra që në krye të Shtëpisë së Bardhë do të preferonin të shihnin një republikë, nuk e gjenin këtë njeri tek figura aq polemizuese dhe arrogante e miliarderit njujorkez.

Republikanet mendojnë se e kanë një liman të sigurtë. Votën e të moshuarve. sondazhet tregojnë se Trumpi e ka rritur mbështetjen në këtë pjesë të shoqërisë. Atë e mbështetësin 49% e personave mbi 65 vjeç, ndërsa tek grupmoshat 18- 39 vjeç, siguron vetëm 29% të preferencave. Kjo tregon edhe një herë se çfarë rëndësie kyçe ka pjesëmarrja në këto zgjedhje. Clintoni mbështetet fort tek votuesit e rinj, të cilët zakonisht nuk dalin masivisht në votime si zgjedhësit mbi të 50-tat.

Në Florida, hispanikët mund të rreshtohen në krah të demokrates, por pjesa e saj aspak e vogël e popullsisë së 65-vjeçarëve e lart, favorizon pa asnjë dyshim republikanin pompoz. Ka një arsye shumë të mirë përse Trump i pëlqen më pak të arsimuarit. Deklaratat e hapura të tij dhe fakti që e përshkruante veten si “zoti Brexit”, tregojnë se fushata e manjatit të pasurive të patundshme, ashtu si dhe ajo e shkëputjes së Britanisë nga Bashkimi Europian, mbështeten fort tek personat që ndiejnë se kanë peshën më të vogël në shoqëri. Edhe pse katër vjet me parë, panorama ishte mjaft më komplekse, ndarja përgjatë linjave të arsimimit, këtë radhë është theksuar ndjeshëm. Mungesa e përkrahjes nga votuesit e bardhë e të mirëarsimuar për një kandidat republikan nuk ka qenë kurrë kaq e lartë. Këta votues, edhe pse besnikë të Partisë Republikanët në zgjedhjet e fundit, këtë herë po preferojnë qartazi Clintonin.

Por tek ata që kanë përfunduar gjimnazin apo kanë një nivel shkollimi edhe me të ulët se kaq, Trump rrëmben 44% të preferencave. Për kundërshtarën, shifra është 36%. Shkalla e arsimimit premton të influencojë ndjeshëm votimet në shtetet e lëkundura si Georgia dhe Nevada.

Papunësia ndërkohe është relativisht e lartë dhe me peshë në vendimin e votuesve në tre shtete të tjera ku gara shkon kokë më kokë: Arizona, Florida dhe Karolina e Veriut. Edhe pse sondazhet nuk e kanë kushtuar vëmendje opinionit të të punësuarve dhe të papunëve, retorika e Donad Trumpit mbi ndalimin e largimit të kompanive amerikanë jashtë kufijve në vende si Meksika apo Kina mund të ndikojë tek njerëzit që e kanë të vështirë të çajnë në tregun e punës.

Një risi e këtij viti ishte vëmendja e madhe që kandidatët i kanë kushtuar një grupi votuesish përgjithësisht të injoruar në prag zgjedhjesh: amerikanëve me prejardhje aziatike. Në rastin më të mirë, partitë krenoheshin vetëm me faktin se kanë fituar pikë dhe tek këta votues, por sivjet si Clinton ashtu edhe Trump po përpiqen realisht të sigurojnë votat këtij komuniteti në rritje. Nga viti 2000, deri në 2010-n ky grup popullsie pothuajse është dyfishuar në të ashtuquajturat “shtetet sëing” si Nevada dhe Karolina e Veriut.

Ai ka sot përmasa të tilla që i lejojnë të luajnë një rol aspak të vogël në votime. Për të fituar simpatinë e tyre, ekipi i Clintonit veproi në disa drejtime: shpalljet elektorale u bënë edhe në gjuhën urdu, vietnameze, në hindi dhe në gjuhën koreane. U realizuan madje edhe telefonata në gjuhë të ndryshme, sepse një e treta e zgjedhësve të mundshëm nuk e flet rrjedhshëm anglishten. Pavarësisht se shumica e serbëve në SHBA mbështesin Trumpin, Hillary vazhdon të mbetet e preferuara e amerikanëve nga Ballkani duke grumbulluar mbështetjen e shqiptarëve, boshnjakëve, bullgarëve dhe malazezëve. Në garën e ngushtë mes saj dhe rivalit të madh, çdo votë ka rëndësi.

Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk kanë dilema mbi përzgjedhjen e tyre, por Clintonin nuk e përkrahin të gjithë. Simpatia për familjen Clinton lidhet sigurisht me ndërhyrjen e Bill Clintonit në luftën e Kosovës, e shumë besojnë se trashëgiminë e mbështetjes për Kosovën, Hillary e vazhdoi edhe kur shërbeu si sekretare Shteti. Megjithatë ka dhe shqiptarë, preferenca e të cilëve anon nga Trumpi, e kjo sepse po i kushtojnë përparësi çështjeve kyçe për komunitetet e tyre lokale. Sipas censusit të vitit 2010, në Amerikë ka rreth 200,000 shqiptarë etnikë, por shoqatat e shqiptareve e vendosin këtë shifër në gjysmë milioni nëse llogariten edhe të larguarit Shqipëria, Kosova dhe pjesë të tjera të Ballkanit qe prej viteve vitet 1940 e prapa.

Top Channel