Kush është Donald Trump? Manjati dhe kandidati kontrovers i republikanëve

09/11/2016 00:00

Për shumë kohë përpara se të kthehej në kandidatin aq të pagjasë presidencial të Partisë Republikane, Donald Trump ishte miliarderi më i famshëm e piktoresk i Amerikës.

Pakkush do ta mendonte atëherë se njeriun me gojën pa fre një ditë, shumë pak do ta ndante nga Shtëpia e Bardhë. Skepticizmi i madh që ka rrethuar kandidaturën e Trump si nga kundërshtarët, ashtu dhe nga vetë pjesëtarë të partisë së tij, nuk buron vetëm nga platforma e shumëdiskutuar e emigracionit, apo stili kaotik i fushatës.

Rrënjët e tij shtrihen deri në një të shkuar narcizizmi, grandomanie e papajtueshmërie. Më shumë edhe se vetë Ronald Reagan, Trump duket sikur është përgjatë gjithë kohës në aktrim: ai lëviz në rrjedhën e jetës me instiktet e dikujt që e di se vëzhgohet në çdo hap.

Nëse të gjitha qëniet njerëzore mund të quhen për nga vetë natyra e tyre aktorë socialë, Donald Trump në këtë drejtim i kapërcen të gjithë. Shumë pyetje janë ngritur mbi figurën e tij gjatë kësaj fushate. Mbi platformën që ka, mbi diturinë që duket se çalon, mbi gjuhën e përdorur që kthehet rëndom në temë diskutimesh të përflakura, apo edhe nivelin e rehatisë me dhunën politike. Po kush është në të vërtetë ky njeri? Si punon mendja e tij?

“Amerika është kthyer në vendgrumbullimi plehrash për problemet  e të gjithëve. Është e vërtetë, kur Meksika sjell njerëz këtej nuk dërgon më të mirët, nuk sjell njerëz si ju”, tha Trump në një prej tubimeve të tij elektorale. Personaliteti i Trump është sa ekstrem, aq edhe i rrallë për një kandidat presidencial. Shumë njerëzve që e kanë takuar nga afër, qoftë për intervista, në ndonjë sallë debati, apo atyre që e kanë ndjekur në përballjet televizive, u është dukur i shushatur disi.

Profili i jetës së tij nuk është ai që pritet nga një president i Shteteve të Bashkuara: kontroversialiteti është në maje, dakordësia në nivelin më të ulët. Ashtu si George Ë. Bush, Bill Clinton apo Teddy Roosevelt, Trump e interpreton rolin e tij jetësor në një mënyrë shpërthyese dhe në aspektin social, dominuese. Është i palodhur, gjithë kohën në lëvizje, i paaftë të qëndrojë në një vend dhe fle shumë pak. Në kohë fushate, kandidatët janë shumë më aktivë se në normalitetin e tyre, por rrallëkush e shijon fushatën aq shumë sa miliarderi me flokë të çuditshme. Entuziazmin e 70-vjeçarit e dëshmojnë qartë disa prej mesazheve të tij në Twitter.

3:13 a.m., prill 12: “Uau, fantastik sondazhi i ri! Neë York, faleminderit shumë për mbështetjen tënde!”.

4.22 a.m., 9 prill: “Bernie Sanders thotë se Hillary Clinton nuk ka kualifikimin e duhur për të qenë presidente. Nisur nga aftësia e saj për të marrë vendime, pajtohem plotesisht!!”

“Jam shumë i lumtur që Hillary fjalimin e vet e mbajti pikërisht poshtë Kullës Trump!!!”, ishte një mesazh tjetër.

Trump po përjeton çdo moment të garës, megjithë kthesat e vështira të saj. Kur Barbara Ëalters e pat pyetur në 1987-n nëse do t’i pëlqente që ta caktonin president të Shteteve të Bashkuara dhe jo të luftonte për atë post, Donald u përgjigj: Është gjuetia ajo që më pëlqen. Pëlqyeshmëria, tipar i domosdoshëm për një president amerikan, tek Trump prek pikën më të ulët.

Prillin e këtij viti, gjashtë ish-konkurrentë të reality shoë-t të tij “The Apprentice” dolën hapur kundër kandidaturës së Trump e mbajtën një konferencë shtypi në Nju Jork për të denoncuar atë që e quajtën një “fushatë seksizmi, ksenofobie, dhune e racizmi”. Por qarkullon dhe një histori mbi manjatin kaq antipatik e takimin e tij  me një djalë të ri të sëmurë me kancer, adhurues i flaktë i “The Apprentice”.

Ai priste shprehjen e famshme të shoë-t, “je i pushuar”, por në këmbim mori një çek mijëradollarësh dhe shënimin: “Shko kënaqu siç nuk ke bërë kurrë më parë!!”. I suksesshëm si biznesmen, jo dhe aq si politikan, Donald ishte fëmija i katërt i manjatit të pasurive të patundshme Fred Trump.

Pavarësisht kamjes së madhe të familjes së tij, fillimisht i ishin rezervuar punët e nivelit më të ulët në kompaninë e të atit. Në moshën 13-vjeçare u dërgua në një akademi ushtarake ku filloi të sillej keq. Studimet i kreu në Universitetin e Pensilvanisë e u kthye në njeriun që dukej i destinuar të vazhdonte biznesin e të atit.

Vëllai i tij më i madh vdiq në moshën 43-vjeçare nga varësia prej alkoolit, çka e shtyu Donladin të shmangte pijet alkoolike dhe cigaret përgjatë gjithë jetës së vetë. Interesin për presidencën e shprehu që në 1987-n dhe në vitin 2.000 i hyri garës si kandidat i partisë reformatore. Pas 2008-s u kthye në anëtarin më të zëshëm të lëvizjes “Birther”, e cila vinte në pikëpyetje lindjen e Barack Obamës në Shtetet e Bashkuara. Zyrtarisht, vendimin për të garuar për Shtëpinë e Bardhë në këto presidenciale e shpalli qershorin e vitit 2015.

Top Channel