Kërkesa e paprecedentë e PD, propozon kushte në Bruksel që mos ketë datë për negociatat

07/11/2016 00:00

Të mërkurën, Komisioni Europian pritet të rekomandojë hapjen me kusht të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Por, përpara këtij zhvillimi të rëndësishëm, Partia Demokratike ka marrë një pozicion të pazakontë.

Përfaqësuesi demokrat në Komitetin parlamentar të Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian ka kërkuar që të hiqet nga projektrezoluta një fjali që shpreh vullnetin e të dyja palëve për caktimin e një date nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Kjo fjali ka qenë në variantin e parë të dokumentit të hartuar nga pala europiane, por zoti Bumçi i ka hequr vizë, duke u përqendruar tek 3 kushtet e opozitës për hapjen e negociatave-zgjedhje të lira dhe të ndershme, lufta kundër drogës dhe zbatim i ligjit të dekriminalizimit. Amendamenti që kërkon heqjen e fjalisë për caktimin e datës për hapjen e negociatave nuk është një qëndrim personal i zotit Bumçi.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, konfirmoi për Top Channel se ky është qëndrimi i Partisë Demokratike për një fjali që, sipas tij, nuk pengon procesin e hapjes së negociatave, përderisa datat varen nga përmbushja e kushteve.
 
“Plotësimi i kushteve është ai që kërkon Bashkimi Europain dhe që mbështet Partia Demokratike. Kërkesa për datë është demagogjia e radhës e Ramës dhe qeverisë më të korruptuar dhe të inkriminuar në 26 vite. Pa dekriminalizim, pa zgjedhje të lira, askush nuk na i hap dyert në Bashkimin Europian. Nuk është çështje date, është çështje kriteresh”, deklaroi Basha.

Por, Partia Demokratike nuk është paraqitur me një qëndrim të unifikuar gjatë takimit në Bruksel. Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, rikonfirmoi qëndrimin e saj prej pothuajse një vitit se komisioni duhet të rekomandojë çeljen e negociatave bashkë me një datë, si mënyra më e mirë për të detyruar qeverinë të përmbushë kushtet.

Sipas zonjës Bregu është Këshilli Europian që vendos në dhjetor, nëse janë plotësuar apo jo kushtet, por një datë është e rëndësishme për të vendosur qeverinë nën presion, sepse siç thotë ish-ministrja e Integrimit, kura më e mirë kundër armiqve të demokracisë, është më shumë demokraci.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel