Brazil, “Zika” do të shfaroset falë mushkonjave “mutante”

07/11/2016 00:00

Mushkonja gjenetikisht të modifikuara po krijohen në Brazil për të luftuar virusin “Zika”. Që prej shpërthimit të këtij të fundit në Brazil, qeveria ka ndërmarrë shumë hapa për ta luftuar, por deri tani asgjë nuk ka pasur sukses.

Virusi “Zika” përhapet te njerëzit përmes mushkonjës “Ades Aegypti” dhe lufta kundër këtij insekti në xhunglat e Brazilit nuk ka sjellë rezultate. Tashmë, një kompani britanike e bioteknologjisë ka sjellë në fushën e betejës një mushkonjë të modifikuar gjenetikisht.

Studiues të kompanisë “Oxited Limited” thanë se, kanë mofidikuar gjenetikisht mushkonja meshkuj, të cilave i kanë vendosur gjene defektoze, në mënyrë që këto t’i transmetohen larvave përmes riprodhimit.

Shkencëtarët thanë se mushkonjat që do të lindin, pas kryqëzimit të atyre në natyrë me ato të modifikuara gjenetikisht, do të shfarosen për shkak të gjeneve mutante. Kompania mund të prodhojë 60 milionë mushkonja mutante në javë dhe planifikon që ato t’i lëshojë në natyrë në të gjithë Brazilin.

Testet aktuale kanë treguar se, me futjen e mushkonjave mutante në ambient, numri i mushkonjave që transmetojnë “Zikën” është ulur me minimalisht 90%. Kjo është hera e parë që po përdoren mushkonja gjenetikisht të modifikuara kundër virusit “Zika” dhe autoritetet braziliane shpresojnë që së shpejti rezultatet pozitive të shfaqen në terren.

Top Channel