Universitetet, Rama: Reforma sukses, zhurma çoroditëse sërish bllof

06/11/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama, në komunikimin e kësaj jave ka folur për sistemin e ri të pranimit në universitete. Rama deklaroi se sistemi funksionoi në mënyrë perfekte dhe se zhurma çoroditëse që u bë ishte një blof i madh.

“Ka përfunduar me sukses regjistrimi në universitete me sistemin e ri elektronik në zbatim të reformës së arsimit të lartë. Edhe njëherë zhurma çoroditëse e kazanit të politikës mbrapsht dhe mediave që i shkojnë asaj pas avazit ka rezultuar një blof i madh. Viktima të politikës së blofit këtë herë ishin maturantë dhe prindër.

Natyrshëm të shqetësuar nga një proces i ri që zbatohej për herë të parë, por edhe më të shqetësuar artificialisht të blofit të propaganduar në mënyrë të shfrenuar kundër reformës edhe njëherë ata që duhet të bëjnë detyrën e lartë të opozitës ndaj qeverisë për llogari të interesave të njerëzve e braktisën detyrën.

E shpërdoruan brutalisht të vërtetën me gënjeshtra, pas gënjeshtrash, akuza pas akuzash dhe si për herë nuk belbëzuan dot asnjë ide të re, asnjë propozim, asnjë sugjerim, sado modest për të zgjidhur problemet që medemek sipas tyre pati procesi apo korrigjuar defektet që thanë se kishte medemek qeverisja e këtij procesi. Edhe njëherë është mbarsur mali, por në fund nuk ka pjellë dot asnjë mi. Vetëm deklarata boshe”, tha ai.

Top Channel