Nju Jork, vritet oficeri i policisë në krye të detyrës

04/11/2016 00:00

Një oficer policie nga Nju Jorku është qëlluar për vdekje me një plumb në kokë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur, pasi i ishin përgjigjur një invazioni të armatosur ndaj një shtëpie në periferinë veriore të Bronxit, pasditen e kësaj të premteje.

Paul Tuozzolo, oficeri 41-vjeçar i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ndërroi jetë pa arritur të shkëmbejë zjarr me agresorin, teksa së bashku me disa oficerë të tjerë iu afruan shtëpisë ku ndodhej i dyshuari. Ngjarja, sipas burimeve, ndodhi kur forcat e policisë pikasën makinën Jeep në ngjyrë të kuqe të të dyshuarit në rrugën “1460 Beach Ave”, pranë një kompleksi rezidencial në Van Nest.

Ata e ndoqën automjetin për disa blloqe, derisa arritën ta rrethonin. I dyshuari, Manuel Rosales, 35-vjeçar nga Brentwood i kantonit Suffolk, doli nga makina e tij dhe po qëndronte në këmbë. Kur Tuozzolo doli nga automjeti i policisë, agresori qëlloi pa paralajmërim dhe la të vdekur oficerin me veteran prej 18 vitesh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut. Plumbat e prekën atë në kokë dhe në gjoks.

Shoqëruesi tjetër i oficerit të vrarë, dhe një polic nga një tjetër makinë, e qëlluan më pas për vdekje agresorin, një ngjarje e regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë përreth vendit të ngjarjes. “Ishte diçka tepër heroike. U vu nën breshërinë e armës dhe megjithatë nisi të qëllonte. Kushedi sa jetë mund të ketë shpëtuar oficeri duke e vrarë këtë kriminel”, tha një burim i forcave ligjzbatuese për “New York Post”.

Një prej kolegëve të oficerit të vrarë e quajti Tuozzolon si një “djalë të rregullt, me të cilin vërtet që do të kishe dashur gjithmonë ta kishe si partner në raste rreziku. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut humbi një njeri shumë të mirë sot”, tha ai për oficerin e ndjerë, i cili jetonte në Long Island.

Oficeri tjetër i plagosur, Emmanual Kwo, 30 vjeç dhe prej 9 vitesh në “NYPD”, u qëllua disa herë në këmbën e djathtë, por pa rrezik për jetën.

Burime nga vendngjarja thanë se Rosales e njihte gruan, që jetonte në shtëpinë ku kishte hyrë me forcë. E kontaktuar, gruaja e tronditur refuzoi të komentonte. “Nuk mund të flas tani”, tha ajo.

Familjarë të Tuozzolos mbërritën me helikopter në spitalin “Jacobi”, vetëm pak çaste nga ngjarja, ndërkohë që kryebashkiaku i Nju Jorkut, De Blasio, dhe komisioneri i “NYPD”, James O’Neill ishin gjithashtu të pranishëm, por oficeri nuk mundi t’u mbijetonte plagëve.

Rosales njihej për shkelje të lehta penale në Karolinën e Veriut dhe atë të Jugut, kryesisht për trazira dhe shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Top Channel