Basha: Aleancë me shoqërinë civile kundër krimit dhe drogës

04/11/2016 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka bërë të ditur se ka zhvilluar këtë të premte një takim “shumë të frytshëm” me përfaqësues të medias, shoqërisë civile, sportit, artit, etj, me të cilët, siç thotë ai, ka diskutuar për krimin, drogën dhe ndikimin e tyre në zgjedhjet e lira e të ndershme.

“Gjatë këtij takimi të gjatë, prej më shumë se katër orësh, më shumë dëgjova sugjerime, opinione, kërkesa rreth këtyre problematikave, të cilat nuk i përkasin vetëm Partisë Demokratike, por janë tre problematikat më të mëdha me të cilat përballet sot Shqipëria dhe shqiptarët”, ka thënë Basha.

Ai është shprehur i inkurajuar nga ky takim, si dhe më i vendosur për të ndërtuar së bashku me shqiptarët një aleancë sa më të madhe e sa më solide për të siguruar luftën kundër krimit.

Për të siguruar “mposhtjen e fenomenit kanceroz të kthimit të Shqipërisë në një hambar droge dhe sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Sepse ky nuk është vetëm interesi i Partisë Demokratike, por i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, si interesi kombëtar në këtë emergjencë kombëtare”, ka thënë Basha.

Ai ka shtuar se, këto procese konsultimi do të vazhdojnë dhe do të konkludojnë me formulimin e një aksioni politik opozitar, “për të cilin do t’u bëjmë thirrje të gjithë faktorëve të luajnë rolin e tyre, secili sipas përgjegjësive të tyre, me opozitën dhe Partinë Demokratike në përgjegjësinë e saj”, ka shtuar Basha.

Top Channel