Ristani për drogën: Rama i papërgjegjshëm, kërkon të justifikohet

02/11/2016 00:00

Deputeti i PD, Arben Ristani e ka cilësuar si të papërgjegjshëm qëndrimin e kryeministrit Rama lidhur me çështjen e drogës.

“Pasi e ka mohuar për një vit me radhë, tani kërkon të justifikohet para ambasadorëve dhe vendeve të BE, të cilët e konsiderojnë drogën e Shqipërisë një kërcënim për sigurinë”, ka thënë Ristani.

Në një reagim të orëve të vona, sekretari i përgjithshëm i PD ka komentuar edhe takimin e sotëm të kryeministrit me ambasadorët, të cilët sipas tij Rama duhet t’i sqaronte për:

1. Pse në një vit Shqipëria u mbulua me drogë?

2. Si u ndërtuan 20 pista avionesh për transport droge?

3. Pse dekonspirohen aksionet e prokurorisë dhe nuk arrestohen trafikantët?

4. Pse nuk arrestohet Klement Balilaj i quajtur koka e trafikut të drogës në Ballkan?

5. Sa është sasia ë drogës së prodhuar në terësi kur vetëm nga 02% e sipërfaqes së pashkatërruar, sipas Ramës, janë kapur gati 200 tonë?

6. A u tregove ambasadorëve sa para ke përfituar nga droga dhe sa ke planifikuar për blerje votash?

Deputeti demokrat ka rezervuar edhe dy pyetje për atë që e ka quajtur show me leterpërgjigjen e komisionerit Avramopulos.

7. Pse i çove letër Averamopulosit për t’i kërkuar ndihmë pasi droga u korr e u trafikua nga bashkpunëtorët e tu?

8. Pse nuk kërkove ndihmë në sezonin e mbjelljes së drogës dhe deri sa u korr? Po të kishe me vete dhe Roshin e Bushin do ishe me bindës për punët e drogës se ti njihesh si përdorues dhe përfitues, jo kultivues.

Sipas Ristanit, “tashmë është tepër vonë për show-n propagandistik me drogën”. “Koha e Edi Ramës ka mbaruar bashkë me sezonin e hashashit”, ka thënë Ristani.

Top Channel