SHBA: Koreja e Veriut, test rakete balistike brenda 72 orëve

01/11/2016 00:00

Koreja e Veriut është duke përgatitur një tjetër test rakete balistike me rreze të mesme veprimi në harkun kohor nga 24 deri në 72 orë. Lajmi konfirmohet nga zyrtarë amerikanë, të cilët kanë njohuri mbi vlerësimet më të fundit të agjencive të kundërzbulimit, duke folur për “Fox News”.

Lëshimi i raketave “Musudan” do të ishte testi i 9 gjatë këtij viti për vendin e izoluar komunist, përfshi këtu edhe dy testimet bërthamore të tij në shkelje të plotë të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Asnjë prej zyrtarëve nuk specifikoi atë që shfaqet nga imazhet e fundit satelitore, por theksuan se lëshimi është vetëm pak ditë larg. Ushtria amerikane është e shqetësuar mbi faktin se raketat “Musudan” mund të lëshohen edhe nga pajisje të lëvizshme të padiktueshme, siç mund të ndodhë nga autostradat apo zonat malore.

Zyrtarë të Koresë së Veriut kanë shprehur prej kohësh dëshirën për të ndërtuar një raketë balistike interkontinentale të aftë edhe për të qenë me mbushje bërthamore, në mënyrë që të godasë Shtetet e Bashkuara.

Të hënën, për herë të parë në 28 vite, një nëndetëse me raketa balistike e Marinës amerikane vizitoi territorin ishullor amerikan të Guamit në Paqësorin perëndimor, siç njoftuan zyrtarë të Marinës.

Nëndetësja amerikane “USS Pennsylvania” mund të transportojë 24 raketa balistike ndërkombëtare “Trident D-5”, me një rreze veprimi prej afro 7.500 miljesh, e aftë për të shkatërruar çdo qytet të botës teksa ndodhet nën ujëra. Secila prej raketave “Trident” mund të përmbajë koka bërthamore të shumëfishta dhe të pavarura, ndërkohë që forca e secilës prej tyre është më e madhe sesa bomba atomike e hedhur në Hiroshima gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Javën e kaluar, drejtori i kundërzbulimit kombëtar amerikan, James Clapper tha se objektivi për të detyruar Korenë e Veriut që të braktisë programin e saj të armëve bërthamore, me shumë gjasë është “një kauzë e humbur”.

Më herët gjatë tetorit, Koreja e Veriut u përpoq të lëshonte dy raketa “Musudan”, por të dyja përpjekjet dështuan, sipas ushtrisë amerikane.

Top Channel