Projektet e “Rilindjes” në jug

30/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama është ndalur këtë fundjavë në Urën Vajgurore, Berat, Poliçan dhe Çorovodë, për të parë nga afër programet e “Rilindjes Urbane” në këto zona. Kryetarja e Bashkisë së Urës Vajgurore, Juliana Mema njohu kryeministrin me projektin 180 milionë lekësh për rehabilitimin e rrugëve nacionale dhe lagjes pranë lumit Osum, ku 90% e punimeve tashmë kanë përfunduar.

“Me këtë projekt bëhet i mundur dhe legalizimi i banesave të këtyre familjeve. Kemi një kënd për fëmijët, kemi edhe një rrugë biçikletash, është e integruar dhe me shumë pemë të mbjella”, tha kryebashkiakja.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh: “Kjo zonë ishte një tmerr dhe faktikisht 25 vjet rresht përmbytej çdo vit e më shumë”.
 
Pjesë e “Rilindjes Urbane” ka qenë edhe Berati, qytet në të cilin janë transformuar akse rrugore dhe zona banimi, sikurse edhe sheshi qendror “Teodor Muzaka”.

Në Poliçan, projekti ka nisur që nga rruga hyrëse e qytetit, një investim 61 milionë lekë, e cila si destinacion përfundimtar kishte Çorovodën.
 
Nga Berati, gjatë një takimi me mësuesit, kryeministri i njohu me vendimin më të fundit të qeverisë, rritjen e rrogave për këtë kategori.

“Ne kemi bërë një rritje rrogash në fakt, nëse ju do ta masni me paratë që ju ngelen në xhep e jo me paratë që merrni në bordero, duke e ulur taksën e sheshtë që ishte 10% dhe duke bërë që paratë që mbeteshin në xhepin tuaj, pavarësisht se rroga ishte po ajo, të ishin më shumë. Por, besojmë që nuk mjafton”, tha Rama.

Top Channel