Italia s’gjen rehat nga tërmetet. Tjetër lëkundje e fortë, në Peruxha

29/10/2016 00:00

Italia nuk po gjen rehat nga tërmetet. Një tjetër lëkundje e fortë është verifikuar pasditen e vonë të kësaj të shtune, me epiqendër në qytetin e Peruxhas dhe fuqi 4.2 ballë.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave lëkundja sizmike është ndjerë në zonën e sipërme të Maçeratës, e prekur nga tërmeti i mëhershëm gjatë javës, si dhe në Ankona.

Sipas burimeve mediatike, situata më problematike paraqitet në zonën malore të Maçeratës ku janë ndjerë lëkundje të vazhdueshme, ndonëse jo të fuqishme, ndërsa ka pasur edhe çarje të tokës.

Në këtë zonë janë mbi 4 mijë të pastrehë që kanë kaluar natën e radhës jashtë shtëpive, të vendosur kryesisht në pallatet sportive, hotele, si dhe në vagonët e trenit të vënë në dispozicion nga shteti.

Ndërsa në Usita, edhe kjo një nga zonat më të prekura nga aktiviteti sizmik, vetëm të moshuarit janë strehuar në hotele. Të tjerët kanë zgjedhur çadrat. Mediat raportojnë se bën ftohtë, por skuadrat e mbrojtjes civile janë në lëvizje për t’u ofruar ndihmë.

Top Channel