Kokainë e lëngshme në shollën e atletes; kapet trafikanti në Romë

29/10/2016 00:00

Rasti i një trafikani droge të identifikuar nga autoritetet doganore në aeroportin e Fiumiçinos, në Romë, i ka dhënë një kuptim të ri termit “vrulli i drogës”.

Gjatë kontrollit të valixhes së një pasagjeri që po vinte nga Sao Paulo i Brazilit u gjetën një numër atletesh që rezultuan të mbushura me kokaine.

Zyrtarë të doganave që zhvilluan një operacion të përbashkët me policinë, vlerësuan se linja e fluturimit përfaqësonte një rrezik të lartë për trafikimin e lëndëve narkotike dhe për këtë arsye pasagjerët u vunë në shënjestër të kontrolleve.

Një valixhe me pak veshje por më shumë atlete shtoi edhe me shumë dyshimet dhe pas një shqyrtimi të imtësishëm u zbulua se pjesët e poshtme të këpucëve ishin falso e përmbanin një lëng të çuditëshëm brenda.

Në vend të xhelit që ofron komoditet për këmbët e personave që bëjnë vrap, testet zbuluan se substanca ishte në fakt kokainë. Shtetasi brazilian u akuzua për trafikimin e 7 kg kokainë, me një vlerë prej të paktën 2 milionë eurosh.

Top Channel