Kampi i refugjatëve në Francë, qindra fëmijë në rrugë

27/10/2016 00:00

Pavarësisht pretendimeve të autoriteteve franceze se në “xhungël” nuk ka mbetur më asnjë njeri, mediat të ndryshme, përfshirë BBC thonë se në kampin famëkeq të emigrantëve në Calais ka ende disa qindra njerëz.

BBC shkruan se rreth 200 minorenë të pashoqëruar kanë mbetur në kamp dhe nuk kanë as shtretër ku të flenë apo diku ku të strehohen. Raportohet se gjendja e tyre bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, ndërsa duket se ata janë harruar nga autoritetet.

Thuajse 5 600 njerëz u evakuuan nga kampi në qendra refugjatësh që prej të hënës, përfshirë edhe 1 500 minorenë që janë strehuar në një kamp me kontenierë, që sipas aktivistëve tashmë është plot. Ekipet e punëtorëve vazhdojnë që të pastrojnë zonën nga çadrat e sajuara mes zjarreve që dyshohet se janë ndezur nga emigrantët.

Fabienne Buccio, prefektja e Pas de Calais tha se misioni për spastrimin e kampit është përmbushur. Ky kamp ishte shndërruar në një simbol kyç të krizës së emigrantëve në Europë dhe refugjatët që qëndronin aty donin dëshpërimisht të shkonin në Britani.

Sipas organizatës humanitare “Save the children”, me qindra fëmijë nuk kanë mundur që të regjistrohen gjatë evakuimit dhe rrjedhimisht nuk janë në zonën e ndërtuar për minorenët. Gjithashtu raportohet se shumë prej tyre janë larguar dhe nuk dihet se ku janë.

Ministria e Brendshme britanike tha se autoritetet franceze janë përgjegjëse për të gjithë fëmijët në Calais, përfshirë ata që po vlerësohen për transferim të mundshëm në Britani. Më herët, ministrja e Brendshme britanike Amber Rud kishte marrë mjaft ankesa pasi u panë rreth 100 adoleshentë që nuk u pranuan në një qendër regjistrimi nga autoritetet franceze.

Top Channel