Infermierja vrasëse në Kanada, dyshohet për 8 viktima

26/10/2016 00:00

Një punonjëse 49-vjeçare e një azili pleqsh në Ontario u akuzua për 8 vrasje me paramendim gjatë disa viteve.

Elizabeth Wettlaufer, banore e Woodstock, në Kanada, u shfaq para gjykatës që vendosi masën e sigurisë me burg. Autoritetet kanadeze thonë se viktimat e saj ishin banorë të dy azileve ku kishte punuar infermierja dhe të moshave nga 75 deri në 96 vjeç.

Hetuesit thanë se 7 prej viktimave ju administruan doza vdekjeprurëse të një medikamenti. Sipas policisë, vrasjet ndodhën mes viteve 2007 dhe 2014. Viktimat e infermieres vrasëse ishin 5 femra dhe 3 meshkuj.

“Viktimave ju administrua dozë vrasëse e një medikamenti. Është e qartë se në institucione të tilla ka ilaçe nga më të ndryshmet dhe infermierët kanë akses tek to”, deklaruan hetuesit e policisë.

Ata nuk pranuan që të japin një motiv për vrasjet, por shprehën besim se kanë identifikuar të gjitha viktimat e infermieres, pasi gjatë kohës që ajo punoi në azilet, ndërruan jetë edhe shumë njerëz të tjerë. Autoritetet gjithashtu thanë se duhet të tregohen shumë të rezervuara me këtë çështje, për t’i kursyer sa më shumë vuajtje familjeve të përfshira.

Top Channel