Sondazhi i CNN: Clinton, 5 pikë para Trumpit. Amerikanët: Votat, më të sigurta

25/10/2016 00:00

Me afrimin e datës së zgjedhjeve në SHBA, edhe sondazhet shtohen. Së fundmi, CNN ka publikuar “exit poll”-in që tregon se ish-Sekretarja e Shtetit kryeson me 5 pikë ndaj Donald Trumpit.

Ndërkaq, 7 në 10 votues besojnë se zonja Clinton do të triumfojë, por në të njëjtën kohë ata thonë se nëse kjo ndodh, miliarderi do të kontestojë rezultatin.

Megjithatë, pavarësisht komenteve të Trumpit për manipulim të zgjedhjeve, amerikanët në përgjithësi besojnë se votat e tyre për presidentin janë më të sigurta tani, sesa në vitin 2008.

Pavarësisht nga rezultati, 8 në 10 persona mendojnë se kandidati i humbur, kushdo qoftë ai, duhet të pranojë fituesin. Pritshmëritë se kandidatja demokrate për presidente do të fitojë zgjedhjet janë rritur në 68%, nga 55% që barometri i sondazhit tregoi në muajin qershor.

Ndërkaq “New York Times” ka bërë një shkrim, ku flet se frika më e madhe që ka Donald Trump është humbja. Sipas analizës, Donald Trump është i fiksuar pas famës së tij dhe frikësohet nga ideja se statusi që ka mund të marrë një goditje nga rezultati zgjedhor.

Në të gjitha intervistat që ai jep – shkruan prestigjiozja “NYT”, – Trump ka deklaruar se asnjëherë nuk ka dështuar dhe se çdo dështim e ka kthyer në sukses. Por nëse ai humbet garën presidenciale, rezultati do të jetë e zeza mbi të bardhë. Megjithatë Donald Trump këmbëngul se situata e tij është më e mirë nga sa paraqitet, në ato që ai i quan “sondazhe të sajuara”.

Top Channel