Deklarata për vizat, Veseli e procedon për në Kuvend

24/10/2016 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka proceduar për miratim në seancën e ardhshme plenare projektdeklaratën e propozuar nga vet ai për liberalizimin e vizave.

Pas këmbënguljes për arritjen e konsensusit politik në Komisionin e Punëve të Jashtme, Veseli tha se deklaratën, përmes së cilës do të kërkonin nga vendet e BE-së liberalizimin e vizave, do ta procedojë në Kuvend me shpresën se opozita do të miratojë atë.

Por përfaqësuesit e opozitës u shprehën kundër saj, duke këmbëngulur që në deklaratë të futet çështja e demarkacionit për ta kthyer atë në pikën zero.

Veseli, nga ana e tij, tha se me opozitën aktuale është e vështirë të arrihet uniteti për çfarëdolloj marrëveshjeje, pasi prej një viti ata e kanë mbajtur të bllokuar liberalizimin e vizave për interesa të ngushta politike. Veseli shtoi më tej se kjo është një përpjekje e tij për të unifikuar klasën politike dhe për të hequr vizat për qytetarët e Kosovës.

Në projektdeklaratën e kryeparlamentarit Veseli u bëhet thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian, që të miratojnë liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa jepet zotimi se klasa politike do të marrë në shqyrtim në një të ardhme të afërt marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Top Channel