Beteja për Mosulin, turqit këmbëngulin për “pjesëmarrje aktive”

23/10/2016 00:00

Turqia ka këmbëngulur sërish në idenë se forcat e saj nuk mund të qëndrojnë duke vëzhguar gjatë luftimeve për të zmbrapsur militantët e të ashtuquajturit Shtet Islamik nga qyteti irakian i Mosulit.

Kryeministri Binaly Yildirim tha se, mund të jetë e domosdoshme të ndërmerren masa, pasi Iraku dhe Shtetet e Bashkuara nuk i kanë mbajtur premtimet e tyre. Ai tha se të dy këto vende kanë lejuar milicite shiite dhe separatistët kurdë të marrin pjesë në operacionin ndaj xhihadistëve.

Ndërkohë, kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi u tha të shtunën Shteteve të Bashkuara se, ende nuk është e nevojshme ndërhyrja e forcave turke në këtë operacion. Luftimet e së shtunës, në ditën e 6 të ofensivës, kanë qenë më intensive, ndërkohë që ushtria irakiane ka shtënë më shumë territore nën kontrollin e saj.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter ka premtuar ndarjen e burimeve të konsiderueshme për të rindërtuar Mosulin, pasi ky të jetë rimarrë nga kontrolli i Shtetit Islamik.

Refuzimi i Abadit për të pranuar perspektivën e përfshirjes së turqve në ofensivën e Mosulit mund të irritojë presidentin Recep Tayyip Erdogan, i cili ka paralajmëruar për gjakderdhe me motive sektare, nëse ushtria irakiane mbështetet te milicitë shiite për të rimarrë Mosulin, një qytet ku dominojnë myslimanët sunitë.

Mosuli ka qenë dikur pjesë e Perandorisë Osmane, ndaj dhe Turqia e konsideron këtë qytet si pjesë e zonës së saj të influencës në Irak.

“E di që turqit duan të marrin pjesë. U dërgojmë atyre falënderimet tona, por u themi se irakianët do t’ia dalin edhe vet”, tha Abadi pasi takoi Sekretarin Carter në Bagdad të shtunën. “Nëse do të nevojitet ndihmë, sigurisht që do ta kërkojmë atë nga Turqia apo ndonjë vend tjetër i rajonit tonë”, tha ai.

Carter, nga ana e tij, shfaqi mbështetjen e tij të kushtëzuar për një rol të mundshëm të Turqisë në këtë fushatë, duke theksuar se ka pasur një marrëveshje në parim, sipas së cilës do të lejohej pjesëmarrja e turqve. “Turqia është e interesuar për rezultatin e kësaj ofensive në Mosul. Siç janë të interesuara edhe shumë palë të tjera, sepse është një qytet i komplikuar”, tha ai.

Forcat irakiane mundën të hynin gjatë së shtunës në fshatin Qaraqosh, rreth 30 km në jug të Mosulit, kryeqytetit “de facto” të militantëve të Shtetit Islamik. Qaraqoshi ka qenë zona më e madhe me të krishterë e Irakut përpara lufte, ndërsa tashmë raportohet të jetë thuajse i boshatisur, ndërkohë që ISIS ka minuar vendin për të zmbrapsur çdo afrim të mundshëm drejt Mosulit.

Top Channel