SHBA, Trump: Do ta njoh rezultatin…po fitova unë!

20/10/2016 00:00

Përgjigjja, të cilën nuk e mori gjatë debatit, moderatorit të përballjes së tretë dhe të fundit televizive mes kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara, Chris Ëallace por edhe të gjithë amerikanëve i erdhi disa orë më pas.

“Do ta njoh rezultatin e zgjedhjeve, – deklaroi Donald Trump, – vetëm nëse i fitoj unë”.

Prej ditësh, miliarderi njujorkez pretendon se zgjedhjet janë manipuluar dhe në Las Vegas u tregua mjaft evaziv, kur u pyet nëse do ta pranonte rezultatin. “Këtë do t’iua them kur të vijë momenti i duhur, – ishte përgjigjja e Trumpit. – do t’iu mbaj pezull”.

Debati në Las Vegasnisi e përfundoi pa shtrëngim duarsh mes kandidatëve, një shenjë kjo e acarimit të retorikës së fushatës. Temat përfshinë Gjykatën e Lartë, emigracionin, ekonominë dhe politikën e jashtme.

Përballja u përqëndrua më shumë te politikat, ndonëse pati momente të tensionuara, si ai kur Clinton i tha Trumpit se do të ishte “një kukull e zotit Putin”, ndërsa republikani iu përgjigj se presidenti rus ishte treguar më i zgjuar sesa ajo.

Miliarderi hyri në sallë me në supe skandalin e videos me komente ofenduese për femrat dhe akuzat për ngacmime seksuale. Një tjetër grua thotë se është prekur në mënyrë të pahijshme nga miliarderi, e dhjeta që del me këtë pretendim.

Këmbëngulja e Trumpit për të mohuar keqtrajtimin e femrave e ka shtyrë Karena Virginian të dalë hapur.

“Në 1998-n isha në turneun e tenisit U.S. Open në Queens të Nju Jorkut. Po prisja për ndonjë taksi e ndërsa qëndroja aty, Donald Trump m’u afrua. E dija kush ishte, por nuk e kisha takuar ndonjëherë personalisht. Ishte me disa burra të tjerë dhe dëgjova që folën për mua. ‘Hej, shikojeni pak këtë. Shikoni çfarë këmbësh paska’. Pastaj erdhi drejt meje e më kapi nga krahu i djathtë. Në atë moment më preku edhe gjoksin. U trondita dhe kur hyra në makinë, tronditja ime u kthye në turp”, tha Karena Virginia.

Virginia atëherë ishte 27 vjeç. Ajo thotë se është ndierë keq për vite të tëra nga incidenti, derisa e kuptoi se faji nuk është i viktimës.

Top Channel