Beteja për Mosulin, ikin liderët e ISIS; në luftë militantët

20/10/2016 00:00

Operacioni për rimarrjen e Mosulit po ecën më mirë dhe më shpejt sesa ishte planifikuar. Qeveria irakene, me miratimin e kryeministrit Haider Al Abadi, i cili nuk ka ngurruar të shprehë entuziazmin nëpërmjet një deklarate, ka shtuar trupat në luftën kundër ISIS.

Dita e enjte shënoi një intensifikim në luftën për rimarrjen e qytetit të dytë të Irakut. Pjesë e koalicionit janë edhe forcat kurde peshmerga, të cilat njoftuan një operacion në shkallë të gjerë në lindje dhe në veri të Mosulit.

“Forcat tona kanë avancuar 5 km në zonën e Bartejës dhe ne tashmë e kemi rrethuar”, ka deklaruar kreu i trupave kurde.

Bashkëpunimin me ta dhe aleatët e tjerë, kryeministri iraken e vlerësoi së tepërmi. Megjithatë, ditët në vazhdim pritet të jenë më të vështira, pasi militantët e ISIS janë duke u përgatitur për një betejë kulmore.

Ofensiva e ndërmarre është operacioni më i madh nisur nga forcat irakene që prej pushtimit të udhëhequr nga SHBA në vitin 2003 dhe pritet të duhen javë, ose muaj për çlirimin e tij.

Ndërkohë, gjenerali amerikan Gary Volesky paralajmëroi se krerët e ISIS kanë ikur nga Mosuli, duke lënë pas vetëm xhihadistët në betejë. Fakti që ata kanë braktisur territoret ngre një pikëpyetje të madhe se ku mund të jenë strehuar.

Top Channel