Wikileaks, Ekuadori i ndërpreu lidhjen e internetit Assange

18/10/2016 00:00

Wikileaks ka hedhur një akuzë të fortë ndaj shtetit të Ekuadorit, i konsideruar një ndër aleatët e saj më të rëndësishëm.

Kjo, pasi ka qenë pikërisht ambasada ekuadoriane në Londër që i ka prerë lidhjen e internetit themeluesit të saj Julian Assange.

Ironia e gjithë kësaj qëndron në faktin se Assange prej disa vitesh jeton në ambasadën ekuadoriane si refugjat politik.

Ka qenë faqja e themeluar prej tij përmes një njoftimi në Twitter që ka ngritur gishtin e akuzës, një ditë pasi kishte etiketuar si fajtorë SHBA dhe Britaninë.

Megjithatë, Wikileaks ka lënë të kuptohet se prapa vendimit të Ekuadorit mund të ketë qenë dora e Uashingtonit, pasi ndërprerja e lidhjes së internetit ndodhi të shtunën e kaluar, pak pasi faqja kishte publikuar fjalimet e Hillary Clinton për Goldman Sachs.

Selia diplomatike e vendit amerikano-jugor në Londër ka përgënjeshtruar çdo formë komploti. “Do të vazhdojmë ta mbrojmë Julian Assange dhe t’i ofrojmë azilin politik që i garantuam në vitin 2012”, ka deklaruar një burim i ambasadës.

Top Channel