Përmbytjet në Lezhë, dëme materiale të pakta

16/10/2016 00:00

Shirat e dy ditëve të fundit në Lezhë, ndonëse me intensitet më të ulët se ato të disa ditëve më parë, sërish nuk kanë kaluar pa probleme.

Burime nga Prefektura konfirmojnë se dëmet janë të pakta dhe problemi kryesor ka qenë lagjja “Besëlidhja”, e cila për disa orë me radhë pothuajse u bllokua totalisht, si pasojë e ujërave të shumta.

Kanalet e ujërave por edhe kolektorët kryesorë janë në nivele të larta të prurjeve, ndërsa Bordi i Kullimit infomon se hidrovorët janë në gjendje pune. Në lagjen “Skënderbe”, disa banesa të banorëve të komunitetit rom kanë pasur prani uji.

Një tjetër problematikë e shfaqur nga reshjet është edhe “Shëtitorja e Drinit”, e cila mesa duket do të jetë në fokus gjatë stinës me reshje, pasi në vende të ndryshme të saj ka pasur rrëshqitje të dherave në të dyja anët e shëtitores.

Kjo shëtitore, e cila ishte një investim shumë i rëndësishëm, duke i dhënë një tjetër hov zhvillimi dhe frekuentimi bregut të Drinit, ende nuk është marrë në dorëzim nga Bashkia Lezhë, pikërisht për këto problematika, të cilat kompromentojnë cilësinë e punimeve.

Ndërkohë, edhe pse niveli i lumit Drin është rritur ndjeshëm në krahasim me ditë më parë, deri më tani nuk ka shkaktuar përmbytje.

Top Channel