Zgjedhjet në Malin e Zi, Partia e kryeministrit këtë herë do të jetë e vetme

15/10/2016 00:00

Partitë malazeze kanë zhvilluar tubimet e fundit elektorale përpara zgjedhjeve të dhjeta të përgjithshme të vendit që nga aplikimi i sistemit parlamentar. Ndryshe nga herët e tjera, Partia Demokratike Socialiste në pushtet këtë radhë paraqitet e vetme, pa ndonjë partner koalicioni. Por edhe opozita nga ana tjetër është e përçarë.

“Ne nuk po votojmë thjesht për zgjedhjen e një qeverie, ne po zgjedhim një mënyrë të jetuari. A duam vallë një Mal të Zi europian, të stabilizuar dhe të begatë, që është mik dhe partner me vendet e zhvilluara europiane e botërore, apo një vend peng të zmbrapsjes, intolerancës, dhunës dhe mungesës së shpresës? Duam të jemi pjesë e një shoqërie europiane apo një koloni ruse në Ballkan?”, shprehet Milo Djukanovic, lider i DPS dhe kryeministër i Malit të Zi.

“Bëj thirrje këtu në emrin tuaj dhe në emrin e të gjithë njerëzve të lirë të Malit të Zi, Djukanovic, dorëzo paqësisht pushtetin në 16 tetor!  Të paktën një herë të vetme trego respekt për njerëzit që i quan “të tutë” dhe për këtë komb, të cilin thua se e do! Ne e duam Malin e Zi, ne ju respektojmë, do t’iu shërbejmë dhe do të respektojmë votën tuaj!”, tha Nebojsa Medojevic, lideri i Frontit Demokratik.

Votimet e se dielës konsiderohen si testi më i fortë ndaj qeverisjes 25-vjeçare të Djukanovic-it. Nëse partia e tij fiton megjithatë nuk merr vota mjaftueshëm për një shumicë të qartë, kryeministri do ta ketë të vështirë krijimin e një koalicioni.

Pasiguria është kryefjala e këtyre zgjedhjeve, ndaj dhe ekspertet nuk nxitojnë të bëjnë parashikime.

Partitë shqiptare pretendojnë më shumë se 2 vende në Parlamentin e ri me argumentin se përbëjnë 5% të popullsisë. Partitë kryesore shqiptare do të garojnë me tre lista, ndërsa ditë më parë grupimi më i madh i tyre në zgjedhjet e 16 tetorit u përshëndet edhe nga Tirana zyrtare.

Top Channel