Kryebashkiaku i Selanikut, Janis Boutaris, në një ceremoni të posaçme i ka akorduar ish-konsullit të përgjithshëm të Shqipërisë në këtë qytet, Riza  Poda, një çmim të veçantë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e madh në përforcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Poda është nderuar në veçanti për krijimin e kontakteve në fushën e biznesit, marrëveshjet e reja të bashkëpunimit shkencor midis universiteteve të dy vendeve, si dhe për punën për rritjen e prestigjit të komunitetit shqiptar në Greqinë e veriut.

“Ai ndihmoi jashtë mase në binjakëzimin me Durrësin gjatë udhëtimeve të shumta që kemi bërë në Shqipëri, duke hapur rrugën që këto marrëdhënie të jenë çdo ditë edhe më të mira”, deklaroi Boutaris.

Përveç çmimit të veçantë, zoti Boutaris i ka dhuruar Podës edhe një pllakë mermeri të gdhendur, kopje nga arti bizantin me dekoracion një bistak rrushi, pasi kryebashkiaku është prodhues i njohur i verës në veri të Greqisë.

“Është një nder i madh për mua që dëgjoj këto fjalë të ngrohta nga kryebashkiaku i Selanikut dhe e falenderoj atë jashtë mase për këtë vlerësim në adresën time. Dua të theksoj se, ashtu siç e përmendi dhe ai në fjalën e tij, kam kaluar vite shumë të bukura këtu në Selanik, në këtë qytet të mrekullueshëm dhe shpresoj të kemi bërë një punë të mirë së bashku, ju dhe unë, konsullata dhe bashkia, për të mirën e dy vendeve”, u shpreh nga ana e tij Poda, aktualisht ambasador i Shqipërisë në Pragë.

Në këtë event morën pjesë edhe ish-zyrtarë të pushtetit vendor në Selanik, si dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar në Selanik, si dhe miq e dashamirës të të dy vendeve.

Top Channel