Operacionet ndërkombëtare, policia shqiptare vlerësohet nga SELEC

15/10/2016 00:00

Policia shqiptare është vlerësuar me një certifikatë nderi nga SELEC, në mirënjohje për arritjen e rëndësishme në luftën ndërkombëtare kundër krimit të organizuar.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako është takuar me drejtorin e përgjithshëm të SELEC, Toni Jakomovski, ku u vlerësua edhe suksesi i operacionit Ballkan,mes shumë operacionesh të tjera.

“Akordimi i kësaj çertifikate tregon më së miri besimin që kanë partnerët tek Policia e Shtetit. Bashkëpunimi me SELEC dhe me të gjithë partnerët tanë, është me shumë rëndësi, qoftë në luftë kunër krimit të organizuar , ashtu edhe në luftë kundër terrorizmit, në interes të sigurisë në rajon e më gjerë”, u shpreh z. Çako.

Më pas Jakomovski pati një takim me drejtorin e përgjithshëm për krimin e organizuar dhe krimet e rënda, Ardian Çipa dhe atë të antiterrorit në policinë e Shtetit, Gledis Nano.

Policia e shqiptare ka numrin më të madh të pjesëmarrjes në hetime të përbashkëta në Evropën Juglindore për vitin 2016.

Operacioni ndërkombëtar antidrogë “BALLKAN”, në Shqipëri, Maqedoni, Greqi dhe Bullgari i finalizuar në Korrik 2016, ku janë arrestuar 30 persona dhe 23 u shpallën në kërkim që çoi ne sekuestrimin e 27 kg heroinë, 2 kg kokainë, 184 kg marijuanë, 38000 euro, 1.5 milion Lekë, 4 automatikë, 68 aparate celulare.

Top Channel