Helidon Haliti triumfon në bienalen e Hong Kongut

14/10/2016 00:00

Helidon Haliti, artisti shqiptar me famë botërore është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” në Hong Kong.

I njohur për magjinë e tij në teknikën e akuarelit, artisti me famë ndërkombëtare, Helidon Haliti, ka rrëmbyer trofeun e tij të radhës. Çmimi ndërkombëtar për piktorin që përfaqëson Shqipërinë, erdhi pas vendimit të jurisë ku vlerësoi Helidon Halitin ndër 300 artistë të tjerë ndërkombëtarë nga rreth 60 shtete.

Gjatë ceremonisë së ndarjes të çmimeve, kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Akuarelistëve, Atanur Dogan, vlerësoi artistin shqiptar dhe punën që ai po bën për të organizuar edhe në Shqipëri bienale të mëdha të kësaj teknike që shërbejnë si pikë takimi të kulturave të vendeve të ndryshme të botës.

Në fjalën e tij Haliti shfrytëzoi rastin për të ftuar të gjithë artistët në bienalen e akuarelit që zhvillohet në Shqipëri, në muajin mars të vitit të ardhshëm. “Të gjithë duhet të vijnë në Shqipëri. Dua t’ju falenderoj të gjithëve dhe e vlerësoj shumë këtë event. Unë i njoh pothuajse të gjithë përmes Facebook, por tani kemi shansin që të jemi të gjithë këtu. Akuareli i bashkon njerëzit. Faleminderit z. Dogan dhe të gjithëve ju për çmimin”, u shpreh Haliti pas marrjes së çmimit.

Më 12 mars 2017, Shoqata Ndërkombëtare e Akuarelistëve për Shqipërinë do të organizojë bienalen e dytë ndërkombëtare të akuarelit në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë mbi 400 artistë nga e gjithë bota. Bienalja e parë e mbajtur në vitin 2015, solli në Shqipëri 200 artistë nga 50 shtete të botës. Këtë vit, organizatorët premtojnë një prurje më cilësore dhe një bienale edhe më të madhe.

Top Channel