Kur ta bën gruaja tetë me dy

14/10/2016 00:00

Zonja e Parë e Nigerisë kritikon bashkëshortin president dhe e kërcënon se nuk do ta mbështesë në zgjedhjet e ardhshme, nëse nuk bën ndryshime në qeveri. Aisha Buhari ka folur publikisht në një intervistë për BBC-në.

“Pres të ma thotë ai, edhe pse e kam vendosur. Si bashkëshorte nuk do ta mbështes në vitin 2019 në fushatë dhe nuk do të kërkoj votat e grave. Nuk do të ndodhë më”, tha Aisha Buhari, Zonja e Parë e Nigerisë.

Përgjigjja e presidentit nuk ka vonuar, nga Berlini gjatë një konference për shtyp, përkrah Kancelares Merkel.

“Unë s’e di cilës parti i përket ime shoqe, por i përket kuzhinës sime dhe dhomave të tjera. Besoj, ajo e mban mend sesi u bëra president pas tri përpjekjesh. Ndaj them se di më shumë se ajo dhe se e gjithë opozita”, tha Muhammadu Buhari, president i Nigerisë.

Muhammadu Buhari u zgjodh president një vit më parë, me premtimet për të luftuar korrupsionin dhe nepotizmin në qeverisje. Por e shoqja, e cila i ka organizuar tubime nëpër Nigeri, sot i kujton se ai as që i njeh zyrtarët që qeverisin vendin.

Bijë e ministrit të parë nigerian të Nbrojtjes, Aisha, 23 vitë më e re se presidenti, është një aktiviste për të drejtat e grave dhe ndihmon viktimat e grupit terrorist “Boko Haram”, i cili kërkon krijimin e një  shteti islamik në vendlindjen e saj, në verilindje të Nigerisë.

Top Channel