Samiti i Beogradit, Rama për herë të tretë në kryeqytetin serb

12/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama mbërriti mbrëmjen e kësaj të mërkure në Beograd, për herë të tretë në dy vjet. Në aeroportin e kryeqytetit serb ai u prit nga ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç, ndërsa pak më vonë darkoi me homologun Aleksandar Vuçiç.

Më pas, bashkë me delegacionin e tij, Rama u drejtua për në hotelin ku nesër do të mbahen Samiti i Sigurisë dhe takimet me zyrtarët serbë. Situata në Beograd është e qetë dhe duket se rrugëve nuk ka shumë forca sigurie. Megjithatë, për këtë duhet të pritet dita e nesërme.

Bëhet fjalë për një takim të rëndësishëm rajonal, pasi liderët e Ballkanit bashkë me ata europianë do të diskutojnë për sigurinë në rajon.

Kryeministri Rama, ndër të ftuarit më të rëndësishëm, do të bëjë hapjen e samitit dhe më pas do të takojë homologun Aleksandar Vuçiç në selinë e qeverisë së Serbisë, për të vijuar më pas me shqiptarët e Preshevës.

Politikanë nga ky rajon do të vijnë në Beograd për të diskutuar problemet e tyre më të rëndësishme gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar, i cili më pas do të niset për në Forumin e Biznesit në Nish.

Gjatë qëndrimit në Serbi, Rama do të promovojë edhe librin e tij “Kurban”, ndërkohë që nuk do të ketë një konferencë për shtyp ndryshe nga vizitat e tjera.

Në tërësi, mesazhi i këtij samiti pritet të jetë për një bashkëpunim rajonal më i fuqishëm, gjë e kërkuar edhe nga SHBA dhe BE.

Top Channel