Fasonët rritën eksportet, Ekonomi: Paketa fiskale i dha efektet

11/10/2016 00:00

Sipas ministres së Zhvillimit Ekonomik, Milva Ekonomi, paketa e qeverisë për mbështetjen e biznesit fason, e miratuar vitin që shkoi, ka dhënë efekte në zhvillimin e këtij sektori. Eksportet janë rritur në sasi dhe në vlerë.

“Sot kemi një situatë të tillë që, nëse të dhënat e eksporteve në industrinë fasone, tekstile dhe lëkurë i krahasojmë me vitin 2014 rritja në 2015 ishte 5 për qind. Ndërsa në 2016 kundrejt 2015 është 21 për qind”, deklaroi Ekonomi.

Zonja Ekonomi ishte në përurimin e një biznesi të ri fason me investitor italian në qytetin e Fierit, që merret me përpunimin e tekstileve speciale në fushën e higjenës.

“Pa dyshim që bashkë me masat e qeverisë dhe ne si bashki jemi të kujdesshëm për t’u krijuar investitorëve të tillë lehtësitë dhe gjithë terrenin e duhur që duhet të gjejnë në vendin tonë për të investuar kapitalin e tyre”, u shpreh Armando Subashi, kryetar i Bashkisë së Fierit.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik raporton se në 2016 janë shtuar 3.800 vende pune në fasoneri, duke e çuar në 38 mijë numrin total të të punësuarve në këtë sektor.

Top Channel