Jemen, luftanija amerikane shënjestrohet nga raketat e rebelëve Huthi

10/10/2016 00:00

Dy raketa shënjestruan një anije luftarake amerikane përballë brigjeve të Jemenit të dielën, por nuk goditën dot objektivin dhe ranë në ujë.

Sipas Pentagonit, raketat u lëshuan nga territori që kontrollohet nga rebelët Huthi, në Jemenin e dërrmuar nga lufta, dhe në objektiv të tyre ishte anija shkatërruese “USS Mason”.

Mësohet se lëshimi i raketave, që u bë brenda një ore, u diktua nga marinarët e anijes amerikane, që morën menjëherë masa mbrojtëse duke shmangur çdo problem.

Sipas autoriteteve amerikane, “USS Mason” ishte në ujërat ndërkomëbatre në Detin e Kuq, në një distancë rreth 20 km nga bregu. Megjithëse nuk kanë deklaruar se kush sulmoi, zyrtarë të Pentagonit thanë se, fakti që raketat u lëshuan nga zonat e rebelëve Huthi lë pak vend për dyshime.

Ata gjithashtu konfirmuan se, pavarësisht incidentit, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të garantuar lirinë e lundrimit kudo në botë. Në konfliktin e Jemenit, Uashingtoni mbështet qeverinë e presidentit Abdrabuh Mansur Hadi, ndërsa nuk njeh atë të rebelëve Huthi, që kanë pushtuar kryeqytetin Sanaa.

SHBA mbështesin edhe koalicionin ajror që udhëhiqet nga sauditët e që luftojnë rebelët Huthi, por së fundmi bëri me dije se do të rishikojë këtë bashkëpunim, sidomos pas sulmit ajror në kryeqytet, që i kushtoi jetën më shumë se 150 njerëzve.

Top Channel