Raporti i “IHS”: Shteti Islamik ka humbur më shumë se çerekun e territorit

09/10/2016 00:00

Grupi terrorist i ashtuquajtur Shteti Islamik ka humbur më shumë se çerekun e territorit që kontrollonte dikur. Kompania “IHS”, e specializuar në analizimin e sigurisë dhe mbrojtjes, tha se që prej janarit të vitit 2015, kur Shteti Islamik arriti kulmin e tij, ky organizëm ka humbur 28% të territorit.

Në 9 muajt e parë të këtij viti, territori i IS u reduktua nga 78 mijë km katrorë në 65.500, një zonë e barabartë me sipërfaqen e Sri Lankës.

Sidoqoftë, “IHS” thekson se gjatë 3 muajve të fundit, ritmi me të cilin Shteti Islamik po humbet territoret është ngadalësuar. Ky ngadalësim duket se përkon me pakësimin e sulmeve ajrore ruse ndaj kësaj organizate terroriste.

Në fillim të vitit, 26% e sulmeve ruse bëheshin kundër IS, ndërsa tashmë këto janë ulur në 17%. Analistët thonë se shtatorin e shkuar, presidenti rus Vladimir Putin tha se misioni rus kishte për synim të luftojë terrorizmin ndërkombëtar në përgjithësi, e Shtetin Islamik në veçanti, por të dhënat tregojnë se nuk është më kështu.

Tashmë, prioriteti rus është të sigurojë mbështetje ushtarake për qeverinë e Assadit, duke shndërruar luftën siriane nga një konflikt me shumë palë, në një konflikt mes qeverisë siriane dhe grupeve xhihadiste si Shteti Islamik.

Kjo sigurisht që dëmton përpjekjet ndërkombëtare për të ndihmuar opozitën siriane. Megjithatë, analistët thonë se humbjet e pësuara nga IS janë domethënëse. Militantët islamikë janë shtyrë 10 km larg kufirit turk, ndërsa forcat irakiane kanë rimarrë kontrolin e bazës ajrore Kajarah, një pikë strategjike për sulmin ndaj Mosulit, që gjendet vetëm 60 km në jug.

Ekspertët e “IHS” mendojnë se humbja e aksesit në kufirin turk dëmton ndjeshëm aftësinë e Shtetit Islamik për kontrabandë dhe për të rekrutuar luftëtarë të huaj, ndërsa ushtria irakiane po bëhet gati të nisë ofensivën ndaj Mosulit, që do t’i jepte fund Shtetit Islamik në Irak.

Top Channel