Itali, arrestohet bosi i mafias; prej 5 vitesh në kërkim, fshihej në shtëpi

05/10/2016 00:00

Policia italiane arrestoi një bos të mafias kalabreze, Ndrangeta, i cili nuk ishte lodhur të fshihej shume larg, por qëndronte në një dhomë sekrete të improvizuar në shtëpinë e tij.

Antonio Pelle i kishte shpëtuar drejtësisë përpara 5 vjetësh, kur ishte arratisur nga burgu. Ai figuronte në listën e të kërkuarve më të rrezikshëm të Ministrisë së Brendeshme italiane.

Videoja e publikuar nga policia e tregon Pelle teksa del nga pjesa e pasme e një dollapi të madh rrobash, aty ku kishte sajuar dhe strehën e tij të fshehtë.

Rreth 50 policë e kishin kontrolluar vilën dykateshe të mafiozit, por u desh një sy tepër i vëmendshëm për të zbuluar vendndodhjen e tij. Në hapësirën prapa dollapit gjendej një dyshek, një ventilator, disa shishe uji dhe një sasi parash.

54-vjeçari përballet tani me një dënim prej 20 vitesh heqje lirie për trafik armësh dhe lëndësh narkotike, ndërsa mbi të rëndon edhe akuza e pjesëmarrjes në një klan mafioz.

Top Channel