Edi Rama në “Ora e gjelbër”

04/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ishte në një shkollë të Korçës për të promovuar programin e ruajtjes së mjedisit nëpërmjet përdorimit të mbetjeve përmes riciklimit.

Në Korçë, ndarja e mbetjeve për riciklim është një program i zbatuar në të gjitha shkollat e qytetit, por tek “Stavri Themelko” prej tre vjetësh funksionon “Klubi i Ekologjistëve”. Kjo është një nismë e nxënësve, të cilët i kanë vënë edhe orës mësimore për mjedisin emrin “Ora e gjelbër”. Aty, kryeministri u njoh me një studim të vetë nxënësve për rëndësinë e ciklit 3R (riciklim, reduktim, ripërdorim).
 
Njëri nga nxënësit tha: “Veç rëndësisë së madhe që ka riciklimi, ne kemi hasur gjatë punës sonë kërkimore një kuriozitet, i cili thotë se nëse ne do të arrijmë që të riciklojmë 1000 kg mbetje, do të thotë që të shpëtojmë 17 pemë, të kursejmë energjinë e mjaftueshme për 6 muaj, të eliminojmë 3 metër kub materiale inerte, të kursejmë 31.780 litra ujë, të prodhojmë 75% më pak ndotje në ajër, 57% e energjisë që nevojitet për të prodhuar 1 ton të fibrës,  pra, të mos përdorim mineralet, resurset që kemi, por me atë që kemi, ne mund të prodhojmë diçka të re dhe 90% më pak ndotje në ujë”.

“Gjithë këtë eksperiencë që ju keni krijuar në këtë oazin tuaj ta shpërndani në qytet. Bashkia t’ju financojë për materialet publicitare sensibilizuese për aksionet e ndryshme në lagjet e ndryshme të qytetit dhe ndërkohë të ndihmoni konkretisht që të fillojë nëpër lagje ndarja e mbetjeve në burim”, u shpreh Rama.

Ndërkohë, në Maliq, është në përfundim landfilli për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve. “Në total kjo kap rreth 7 hektarë dhe mendojmë se është një projekt shumë i rëndësishëm për pastrimin e qarkut të Korçës”, deklaroi Gëzim Topçiu, kryetar i Bashkisë së Maliqit.

Bashkë me lejimin e importit të mbetjeve, qeveria ka programuar edhe nisjen e një fushate sensibilizuese për ndarjen e mbetjeve në burim dhe fuqizimin e bashkive për menaxhimin e mbetjeve.

Top Channel