Xhamajka e Haiti, në alarm për uraganin

02/10/2016 00:00

Autoritetet e Haitit kanë filluar evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, teksa uragani “Matthew” kërcënon të shkaktojë dëme të mëdha, me përmbytje dhe erëra që do të arrijnë deri në 240 km në orë.

Uragani më i fuqishëm në Atlantik në gati një dekadë pritet të godasë Haitin dhe Xhamajkën të hënën, siç ka paralajmëruar Qendra Kombëtare e Uraganëve. Banorët e frikësuar kanë grumbulluar rezerva për të përballuar emergjencën.

Kryeministri i Xhamajkës, Andrew Holnes u bëri thirrje qytetarëve të bëjnë të gjitha përgatitjet, para se të jetë shumë vonë.

“Ajo që dimë është se do të prekemi rëndë nga kjo stuhi. Por ajo që kemi në dorë të bëjmë është të përgatitemi sa më mirë. Ne jemi të bindur se përgatitjet mund të reduktojnë humbjen e jetëve njerëzore dhe pronave”, tha ai.

Në Xhamajkë, stuhia e fuqishme pritet të sjellë deri në 64 cm shi, çfarë mund të nxisë rrëshqitje të rrezikshme dherash e përmbytje. Në kryeqytetin Kingston, supermarketet u dyndën me njerëz që blinin ushqime të konservuara, ujë dhe elektrikë dore.

Në Haiti, vendi më i varfër amerikano-qendror, banorët e ishujve periferikë u evakuuan dhe autoritetet kanë ndaluar lundrimet. Këtu uragani pritet të sjellë deri në 101 cm shi. Pas Xhamajkës dhe Haitit, “Matthew” pritet të godasë Kubën të martën, ku më të rrezikuara janë qyteti kolonial i Santiago de Cuba, e gjithashtu baza amerikane e Guantanamos.

Siç njoftoi Marina amerikane përmes një deklarate, personeli jo shumë i nevojshëm, përfshirë rreth 700 pjesëtarë të familjeve të stafit ushtarak, po evakuoheshin nga baza.

Top Channel