Plot 19 persona u vranë dhe 26 të tjerë u plagosën gjatë një akti brutal të therjes së cilitdo që dilte përpara pa dallim, të ndodhur të hënën në Tokio, duke e kthyer atë si vrasjen më masive në dekada të tëra për Japoninë.

Një ish-punonjës i një Qendre të Kujdesit Shëndetësor për personat me aftësi të kufizuara në Sagamihara, hyri përmes një dritareje gjatë natës dhe kreu sulmin makabër, përpara se t’i vetëdorëzohej policisë.

Policia lokale ishte paralajmëruar në fakt se, i dyshuari 26-vjeçar i kishte shkruar një letër Parlamentit japonez pak muaj më parë, ku theksonte vizionin e tij për një botë ku të pamundurit t’i nënshtroheshin eutanazisë, sipas asaj që bën të ditur “Associated Press”.

Sulmi i së hënës është më i rëndi i kryer në një komb në paqe që prej fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Ndërkohë, të dhënat e përpunuara nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, për të përcaktuar normat e vrasjeve globale tregojnë se, ndërsa vendndodhjet ndryshojnë vit pas viti bazuar mbi aktivitetin kriminal dhe axhendat socio-politike, normat e vrasjeve për frymë në Afrikën e Jugut, Kolumbi, Venezuelë dhe Amerikën Qendrore mbeten vijueshmërisht të larta.

Mesatarisht në mbarë botën rezultojnë 6.2 vrasje për çdo 100 mijë njerëz. Në Afrikën e Jugut dhe Amerikën Qendrore, norma është 4 herë më e lartë, pra me më shumë se 24 viktima për 100 mijë banorë, sipas një raporti të vitit 2013.

Më shumë sesa gjysma viktimave të vrasjeve në mbarë botën janë të rinj nën moshën 30 vjeç, ndërsa shumica e vrasjeve ndodhin në zona urbane. Pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj, që vriten qëllimisht, sesa femra, por këto të fundit dominojnë sa i përket vrasjeve nga partnerët e tyre meshkuj apo anëtarë të familjes.

Top Channel