Itali, shkojnë si turistë e më pas hiqen si të mitur të braktisur

30/09/2016 00:00

Adoleshentë shqiptarë të moshës 14-17 vjeçare hyjnë si turistë në Itali, e pasi kalojnë 3 muaj, trokasin në dyert e institucioneve italiane duke deklaruar se janë të braktisur.

Ky është një ndër fenomenet më të fundit që po shqetëson autoritetet italiane, kryesisht në disa zona të vendit. Në Emilia Romagna janë paditur 66 shtetas shqiptarë, me akuzat e braktisjes së të miturve, vjedhjes, mashtrimit në dëm të shtetit, e nxitjes së emigracionit të parregullt.

Sistemi i përdorur ishte i thjeshtë: pasi silleshin në Itali nga të afërm, adoleshentët shtireshin si të braktisur, duke u marrë kështu përsipër nga entet italiane të Mbrojtjes Sociale, për të përfituar kështu shkollim, strehim dhe mjete jetese falas, deri në arritjen e moshës madhore.

Aq më shumë që, një i mitur i huaj nuk mund t’i nënshtrohet riatdhesimit të detyrueshëm.

Vitin e kaluar në Emilia Romagna, 63% e të miturve të braktisur ishin shqiptarë, gjë e çuditshme për një vend që nuk po kalon krizë humanitare apo luftë. Gjatë hetimeve është verifikuar se numri i të miturve gjoja të braktisur shtohej në shtator, me afrimin e hapjes së shkollave.

Top Channel