Idrizi: I lumtur që na njohu BE, por s’ ka ardhur ende zgjidhja e çështjes ‘çame’

29/09/2016 00:00

Në fjalën e tij në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend, kreu i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, duke iu referuar zgjedhjeve të fundit për Bashkinë e Dibrës, tha se partia e tij ka elektorat nga e gjithë Shqipëria, njësoj siç kanë edhe partitë e tjera dhe se duhet hequr dorë nga sektarizmat.

Ai tha se ka nga ata në Parlament që ngazëllehen kur marrin mesazhe nga Athina që partia e çamëve të mos futet në qeveri.

“U çuditën disa kur dolën çamë në veri të Shqipërisë. U deshën një palë zgjedhje vendore që të zbulohej se paska çamë edhe në Dibër a gjetkë. Rrini rehat zotërinj, nuk janë çamë, janë shqiptarë. Ashtu sikurse ka socialistë, demokratë dhe të LSI-së në Konispol, ashtu siç ka edhe votues të PDIU-së kudo në Shqipëri. Unë u falem këtyre patriotëve që kanë kuptuar se çështja kombëtare nuk është pronë e manipulatorëve të opinionit, ajo është pronë e zgjedhësve. Unë ju ftoj të hiqni dorë nga ky sektarizëm primitiv, mos u ngazëlleni më kur merrni mesazhe nga Athina që PDIU-ja nuk duhet të hyjë në qeveri, apo se nënkryetari i Parlamentit është fashist, sepse tani i bie që të jetë fashist edhe Komisioni Hahn dhe BE-ja.

Unë sot jam i lumtur se sot na kanë njohur, por nuk ka ardhur akoma zgjidhja e çështjes çame. Sot jemi të kënaqur sepse energjitë tona sollën një kumt të madh. Kemi përpara ditë të vështira që bindim fqinjët tanë se duhet ta shohin në sy të vërtetën”, tha Idrizi.

Top Channel