Profil, kush ishte Shimon Peres?

28/09/2016 00:00

E kanë quajtur “skifteri që u kthye në pëllumb”, sepse nga negociues i marrëveshjeve të armëve për kombin e ri, Shimon Peres do të kthehej në valëvitësin e flamurit të paqes. “Ndaj kësaj të fundit nuk ka alternativë”, ishte linja e tij. Lufta, për Peresin ishte e pakuptimtë.

70 vitet e kaluara në shërbim të vendit janë një kohë e gjatë, por për një figurë të jashtëzakonshme si ajo e shtetarit të madh izraelit nuk është e vështirë të identifikohen momentet që kanë lënë gjurmë.

Në vitin 1993, ai ishte pjesë e grupit të politikanëve ku përfshiheshin Bill Clinton, Yasser Arafat e Yitzhak Rabin, si firmëtarë të Marrëveshjes së Oslos, i pari pakt paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve. Premtimet e asaj kohe ndoshta nuk u vunë dot në jetë ashtu siç duhej, por në ato ditë të mbushura me optimizëm, askush nuk e artikuloi shpresën me fjalë, më mirë sesa Shimon Peresi.

“Jetojmë në një tokë të lashtë, – u tha ai të mbledhurve për ceremoninë e nënshkrimit. – Toka është e vogël, ndaj pajtimi ynë duhet të jetë i madh”.

“Dua t’i them delegacionit palestinez se jemi të sinqertë. Le t’i largohemi të gjithë plumbave e të shkojmë te fletët e votimit. Të lëmë armët e të marrim lopatat. Ne do lutemi me ju. Ne do t’iu ofrojmë ndihmën tonë për ta bërë Gazën të begatë e Jerichon të lulëzojë sërish”, ka thënë Peres.

Ai fjalim kristalizoi ndoshta të gjithë thelbin e mënyrës sesi Peres do të kujtohet në skenën ndërkombëtare. Por imazhi i avokatit të paqes, të cilin bota e vlerësoi lart, nuk u përkthye asnjëherë në sukses politik brenda kufijve.

Ai nuk fitoi asnjë zgjedhje drejtpërdrejt, edhe pse e mori dy herë shkurtimisht postin e kryeministrit, në njërin nga rastet duke zëvendësuar Yitzhak Rabinin e vrarë prej ekstremistëve të djathtë izraelitë në vitin 1995, për shkak të bashkëpunimit me palestinezët.

“Mund të vrasësh një trup, – do të deklaronte Peresi atëherë. – Por nuk e vret dot madhështinë dhe fisnikërinë e idesë së paqes”. Peresi ndryshoi me kohën përgjatë jetës së tij politike dhjetëravjeçare.

Ishte njëri prej anëtarëve të qeverisë që aprovoi ndërtimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara gjatë luftës së 1967-s, por arriti shumë shpejt t’i shihte ato si pengesë për paqen e t’i kundërshtonte si të tilla. Aspiratat e tij për paqe nuk mbërrinin, megjithatë, deri aty sa të pranonte organizata si Hamasi apo xhihadi islamik.

Karriera e gjatë e Shimon Peresit pati edhe një akt të jashtëzakonshëm përfundimtar: kur kapërceu ditëlindjen e 90, mbante ende postin gjerësisht ceremonial të presidentit, çfarë e bëri asokohe kreun më të vjetër shtetëror në botë.

Top Channel