Një “drone” ndal fluturimet në Aeroportin e Dubait

28/09/2016 00:00

Përdorimi i paautorizuar i një “drone” në hapësirën e Aeroportit ndërkombëtar të Dubait (DIA) ka detyruar këtë të fundit të ulë në tokë apo të mos lejojë nisjen e fluturimeve për rreth gjysmë ore.

Sipas komunikatës së “DIA”-s mësohet se hapësira ajrore përreth aeroportit u mbyll vetëm pak pasi kishte kaluar ora 8 e mëngjesit (6 me orën tonë) të së mërkurës, për shkak të “aktivitetit të paautorizuar nga një drone”.

Mbërritjet nisën të funksionon rregullisht pas 35 minutash, ndërsa funksionimi tërësor i aeroportit u bë i mundur rreth orës 9:07.

Kjo nuk është hera e parë që “drone”-t shtyjnë fluturimet në këtë aeroport, një ndër më të mëdhenjtë e botës dhe me ngarkesën më të lartë të udhëtarëve.

“U kujtojmë të gjithë operatorëve të pajisjeve të telekomanduara se, aktivitetet e tyre nuk janë të lejuara në një perimetër prej 5 km përreth pistave të aeroportit”, njoftoi në “Twitter” Aeroporti i Dubati.

Më 12 qershor, një incident i ngjashëm bëri që Aeroporti ndërkombëtar i Dubait të mbyllej për 69 minuta. Për shkak të përsëritjes së tij, autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë njoftuar planet për të forcuar rregullat mbi blerjen dhe përdorimin e “drone”-ve.

Deri më tani, pronarët e këtyre pajisjeve fluturuese të telekomanduara duhet medoemos të regjistrohen në Autoritetin e Përgjithshëm të Aviacionit Civil në EBA.

Top Channel