OPEC, ende pa marrëveshje për reduktimin e prodhimit. Irani refuzon ofertën e Arabisë

27/09/2016 00:00

Irani ka refuzuar këtë të martë një ofertë të ardhur nga Arabia Saudite për të kufizuar sasinë e prodhimit të naftës në këmbim të furnizimit me naftë nga Rijadi, duke tronditur shpresat e tregjeve se dy prodhuesit më të mëdhenj të OPEC-ut do të mund të gjenin një kompromis këtë javë, për të ndihmuar kështu në uljen e teprisë globale të naftës së papërpunuar.

“Hendeku (sa u përket pikëpamjeve) mes vendeve të OPEC-ut po ngushtohet. Nuk pres që të arrihet një marrëveshje pas konsultave të ditës së nesërme”, tha ministri saudit i Energjisë, Khalid al-Falih, për reporterët.

Nga ana tjetër, ministri iranian i Naftës, Bijan Zanganeh ishte shprehur më herët se “nuk ka ardhur koha për vendimmarrje”. Duke iu referuar takimit të ardhshëm formal të OPEC-ut, më 30 nëntor në Vjenë, ai shtoi se “do të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje deri në nëntor”.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) do të zhvillojë gjithashtu bisedime informale të mërkurën rreth orës 16:00. Anëtarët e saj po takohen gjithashtu edhe me prodhues të tjerë jashtë OPEC-ut, gjatë punimeve të Forumit Ndërkombëtar të Energjisë, ku janë mbledhur vende prodhuese dhe konsumuese.

Çmimi i naftës ka shënuar një vlerë më të madhe sesa përgjysmimi që prej vitit 2014, kjo për shkak të mbiprodhimit, duke detyruar vendet prodhuese dhe rivalët e Rusisë të kërkojnë një ribalancim të tregut, që do të forconte të ardhurat nga eksportet e naftës dhe kësisoj edhe buxhetet e tyre të gjymtuara.

Ideja dominuese që prej fillimit të vitit 2016 mes vendeve prodhuese ka qenë arritja e një marrëveshjeje për të frenuar sasinë e prodhimit, edhe pse vëzhgues të tregjeve kanë thënë se një lëvizje e tillë do të dështojë të reduktojë fuçitë e padëshiruara. Marrëveshja e mundshme është komplikuar kryesisht nga rivaliteti politik mes Iranit dhe Arabisë Saudite, dy vende që “luftojnë” në interesa të ndryshme në disa fronte të Lindjes së Mesme, përfshi këtu Sirinë dhe Jemenin.

Top Channel