Konkursi për foton më të mirë, fiton natyra e Ersekës

27/09/2016 00:00

Në Ditën Botërore të Turizmit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli fituesit e konkursit të çelur në fillim të sezonit turistik, me qëllim promovimin e imazhit të Shqipërisë.

98 pjesëmarrësit në konkurs dërguan foto e video nga pushimet e tyre në çdo cep të Shqipërisë në portalin qeveritar e-Albania.
 
Ardit Çollaku, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, u shpreh: “Janë evente që nuk ndikojnë vetëm në sektorin turistik, që është një nga sektorët prioritarë për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe në sektorët e tjerë. Shpresojmë që nëpërmjet fotove të kemi një përmirësim të mëtejshëm të imazhit të Shqipërisë”.
 
Fituesit u shpallën nga votimi i përdoruesve të portalit, të cilët vlerësuan me çmimin e parë Oriola Tufën dhe foton e saj nga Erseka, Erina Semën në vendin e dytë për foton e bërë nga pika më e lartë e hidrocentralit të Fierzës dhe Kostela Hoxhajn për foton e bërë në Jalë.

“Gjithmonë më pëlqen që pushimet t’i bëj në Shqipëri. Shqipëria ka vende shumë të bukura. Mua më pëlqejnë më shumë zonat malore, pasi vetë jam nga Durrësi”, tha Oriola Tufa, fituese e vendit të parë të konkursit të turizmit.

Fituesja e vendit të parë u vlerësua me një udhëtim në çift në Luginën e Vjosës, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë u shpërblyen me udhëtime në Theth e Valbonë.

Top Channel