Me qëllimin për të argëtuar, por edhe për të ushtruar aktivitete sportive, Bashkia e kryeqytetit ka nisur përgatitjet për Maratonën e Tiranës, aktivitet që do të mbahet më 9 tetor, me synimin që të kthehet në një ngjarje të përvitshme.

Pjesëmarrësit do të garojnë në 4 kategori, mes të cilave, krahas garës normale, organizatorët kanë krijuar ‘Fun Run’, dedikuar nxënësve të shkollave të mesme, si dhe kategorinë për personat me aftësi të kufizuara.

“Maratona e Tiranës është një aktivitet i mirëfilltë sportiv, që ne duam ta fusim në kalendarin ndërkombëtar të maratonave, siç e ka e gjithë bota. Do të jetë një test për vitin tjetër, për të qenë Maratona ndërkombëtare e Tiranës”, tha Julinda Dhame, drejtoreshë e promovimit të qytetit në Bashkinë e Tiranës.

Itinerari që do të përshkojnë garuesit do të nisë nga Muzeu Kombëtar, për të vijuar me Rrugën e Durrësit, rr. “Dritan Hoxha”, sheshin “Shqiponja” deri në kthesën e Rinasit, ndërsa në kthim, pikëtakimi do të jetë sërish në Muzeun Kombëtar.

Të gjitha ata që duan të jenë pjesë e garës mund të regjistrohen “online” ose fizikisht, mjafton të kenë mbushur moshën 18 vjeç.

“Që të jemi njësoj me standardet e maratonave që zhvillohen në të gjithë botën, regjistrimi bëhet ‘online’ në adresën ‘maratonaetiranes.al’. Këtë javë ne do të kemi 3 çadra për të plotësuar formularin. Të gjithë do të pajisen me një numër sapo të regjistrohen dhe me një ‘chip’ që do të masë kohën e tyre”, shtoi më tej Dhame.

Kjo nismë është mbështetur edhe nga personalitete të politikës, artit dhe kulturës, teksa deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre: Ramush Haradinaj, Albi Greva, si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa aplikimet do të mbyllen kur numri i garuesve të mbërrijë në 1.000.

Top Channel