Veliaj në segmentin Lundër-Farkë: Standarde të njëjta qendër-periferi

26/09/2016 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi këtë të hënë investimin në segmentin rrugor që lidh zonën e Lundrës me Farkën, ku deklaroi se sfida e bashkisë është që të krijojë një kohezion të plotë mes qendrës dhe periferisë së Tiranës, duke ofruar të njëjtat shërbime dhe standarde.

“Falenderoj kolegët që janë përkushtuar për këtë investim cilësor. E vlerësoj shumë sepse ka qenë gjithmonë sfidë se si të krijojmë një kohezion midis njësive të reja që i janë bashkuar Tiranës dhe qendrës së qytetit. Ky është një investim i cili ndihmon lidhjen mes zonës së Lundrës dhe Farkës për 3 mijë banorë që kanë zgjedhur të jetojnë këtu”, deklaroi Veliaj.

Veliaj shtoi se bashkia ka hartuar një plan të plotë për rrugët lidhëse mes fshatrave, i cili do të shtojë, sipas tij, ndjeshëm edhe vlerën e pronës në gjithë këto zona.

“Kjo, përveçse do të sjellë përmirësim të infrastrukturës për lëvizshmërinë e qytetarëve dhe produkteve të tyre bujqësore e blegtorale drejt qytetit, do të sjellë edhe rritje të çmimit të pronës në këto zona”, tha Veliaj.

Top Channel