Kërcënimi kryesor ndaj ekonomisë globale, ngadalësimi i Kinës

26/09/2016 00:00

Ish-kryeekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar deklaroi për BBC-në se, ngadalësimi i ekonomisë kineze është kërcënimi më i madh ndaj ekonomisë globale. Kenneth Rogoff tha se nuk mund të përjashtohet mundësia e frenimit të fortë të një prej motorëve kryesorë të rritjes ekonomike globale.

“Kina po përjeton një revolucion të madh politik. Mendoj se ekonomia e saj po ngadalësohet më shumë sesa tregojnë shifrat zyrtare”, deklaroi Rogoff.

Ai shtoi se Kina ka një problem me borxhin, pasi rritja ekonomike e regjistuar është bazuar te kreditë dhe këto nuk vazhdojnë pafundësisht. Javën e shkuar, Banka e Marrëveshjeve Ndërkombëtare, qendra planifikuese për bankat qendrore, tha se borxhi kinez është 30% i Produktit të Brendshëm Bruto, duke shtuar frikën se shpërthimi ekonomik kinez bazohet në një flluskë të paqëndrueshme kredish.

Ken Rogoff shtoi se, deri tani është marrë e mirëqenë se, pavarësisht çfarë ndodh në Europë apo Japoni, Kina vazhdon përpara. Por, fatkeqësisht, nuk ka një zëvendës për Kinën, nëse kjo has telashe. Sipas tij, ekonomitë europiane dhe SHBA-të duhet të sigurohen që janë të forta, para se ngadalësimi i ekonomisë kineze të shfaqë pasojat negative.

Sipas Rogoff, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur parashikimin e tij për ekonominë globale për 9 vite radhazi dhe raporte të ndryshme thonë se do ta bëjë sërish, diçka që nuk është aspak shenjë e mirë.

Top Channel