Emigrantët, Rama në Vjenë: Përpjekje e përbashkët, ndryshe asgjë

24/09/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Vjena se Shqipëria e ka shprehur qartë qëndrimin e saj sa i takon çështjes së emigrantëve.

“Shqipëria ka pozicionin e saj të qartë të shprehur që në fillim. Marrim pjesë në këtë përpjekje nëse është e përbashkët, e mirorganizuar, e koordinuar dhe e ndershme për të gjitha vendet. Shqipëria as mund të çelë kufijtë e të nxjerrë gjoksin përpara dhe as nuk mund të sillet si disa vende që tradhëtojnë vlerat dhe parimet e BE-së kur i qasen çështjes së emigrantëve”, ka deklaruar Rama.

Nga ana tjetër, ka vijuar kreu i qeverisë, “samiti ishte një rast i mirë për të parë forcimin e rregullacionit në rajonin tonë”, ku ka, sipas tij, “një vullnet të gjithëpranuar botërisht për reformën në drejtësi, luftën kundër krimit, trafiqeve dhe kundër korrupsionit”.

“Kjo ishte nota pozitive për mua dhe shpresoj që të marrim atë që na takon pas gjithë kësaj pune të madhe që kemi bërë: rekomandimin për hapjen e negociatave me BE-në, që na fut në një fazë të re gjatë mandatit të dytë të qeverisjes”, ka shtuar Rama.

Kryeministri Rama, gjatë qëndrimit në Vjenë zhvilloi një takim dypalësh me kancelarin austriak Christian Kern, me të cilin bisedoi rreth reformave të qeverisë, duke u ndalur tek reforma në drejtësi dhe nevoja për të ecur përpara me procesin e integrimit europian.

Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve ishte një tjetër temë për të cilën kryeministri Rama dhe kancelari Kern bashkëndanë vullnetin për të shfrytëzuar çdo hapësirë që rrit shkëmbimet tregtare dhe mundësitë e biznesit për të shtrirë investimet e tyre.

Në takim u bisedua edhe për situatën e re të krijuar në Ballkan dhe bashkëpunimin rajonal, i cili, siç thuhet në një njoftim për shtyp, po forcohet më tej përmes Procesit të Berlinit.

Top Channel