Berisha: Qeveria dëboi biznesmenin libanez; Rama: Sali, e dëboi gjyqtarja jote

22/09/2016 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha, në një përgjigje ndaj deputetëve të mazhorancës, ka akuzuar qeverinë e kësaj të fundit për dëbimin e biznesmenëve nga vendi, duke iu referuar rastit të kompanisë libaneze “Omnix”.

“Qeverisë i është ankuar konsulli shqiptar në Liban sepse e ka kërcënuar Besnik Sula me jetë vetëm sepse gjeti një investitor”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, “ndaj kompanisë “Omnix” ka qenë kryeministri Edi Rama që i anuloi dokumentin”. “Pastaj e rikthyet sepse i morët rryshfet, por i donit rryshfet më të madh, prandaj ai iku”, ka thënë Berisha.

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave duke i cilësuar “lotë krokodili” shqetësimet e opozitës për largimin e biznesmenit libanez. Në fjalën e tij, Rama ka akuzuar qeverinë e kaluar dhe drejtësinë e ngritur prej saj për “kalvarin e pengesave” që i ishin shkaktuar investitorit të huaj.

“Ai sipërmarrës që u largua ka ardhur në zyrën time pasi ne kemi marrë detyrën dhe më ka parashtruar të gjithë kalvarin e zvarritjeve dhe tmerreve të viteve të tëra, kur nuk merrte dot zgjidhje për probleme të natyrës administrative. Qeveria jonë ia ka zgjidhur një më një të gjitha problemet dhe pas këtyre, papritur e pakujtuar, jep dajak një gjykatëse që kthen në mënyrën më abuzive pronë brenda zonës së investimit. Dhe e kthen tek kositësi i barit pronën në korrik të këtij viti, që bëhet shkaku i shpërthimit të konfliktit. Kjo është e vërteta. Dhe atë goditje atij, ata që ia dhanë ia dhanë sepse e morën fuqinë nga gjykatat e tua, Sali”, ka thënë Rama, i cili ka akuzuar parardhësin e tij se, “nuk the asnjë fjalë për biznesmenin e dhunuar”.

Ai ka shtuar se, “këtë drejtësi ne duam ta përmbysim me reformën në drejtësi dhe me vetting-un”, në mënyrë që, siç ka thënë ai, “gjykatëse si ajo të japin llogari”.

Duke iu përgjigjur, Berisha ka cituar reagimin e tij të disa ditëve më parë, të transmetuar gjerësisht në media. “Ai tha se Sali Berisha nuk tha asnjë fjalë, por në reagimin tim e kam thënë se ata që e rrahën biznesmenin ishin anëtarë të mafias qeveritare”, ka thënë Berisha.

Berisha: Rama, kryearkitekti i kanabizimit të vendit

Duke rimarrë fjalën në Parlament, ish-kryeministri Sali Berisha ka ngritur shqetësimin për situatën alarmante në të cilën sipas tij ndodhet vendi për shkak të kultivimit të narkotikëve, fenomen që, siç ka thënë ai, do të shfrytëzohet për qëllime terroriste.

“Kanabisi do të jetë miniera e arit për ISIS në Siri. Kurrë nuk ka qenë më e kërcënuar siguria e këtij vendi. Një vend anëtar i NATO-s kurrë nuk mund të bëhet kërcënim për aleatët e vetë”, ka thënë Berisha.

Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, ai është shprehur: “çdo të thoni ju për aeroportet e drogës që po ndërtohen për trafiqe kriminale?”.

“Ç’shtet jemi ne, që eksportojmë vdekjen për aleatët tanë? A ka përgjegjësi këtu apo jo? Dhe dilni këtu e citoni statistika të paqena fund e krye”, ka vijuar Berisha.

Sipas tij, arkitekti i gjithë kësaj skeme kriminale mund të jetë vetëm një person. “Dhe kush është arkitekti i kësaj? Edi Rama është arkitekti. Droga kurrë nuk ka zhvilluar një vend, përkundrazi i ka rrënuar ato. Unë ju garantoj se viti tjetër do të jetë viti i lulëkuqeve”, ka thënë Berisha, i cili i ka bërë thirrje Komisionit Europian që “të shqyrtojë në mënyrë serioze çështjen dramatike në këtë vend”.

Më tej, Berisha ka akuzuar gjithashtu Ramën se, ka përzënë edhe kompaninë “Bankers”, duke rikthyer “Armo”, që sipas tij është një kompani e falimentuar, por që është marrë nën kontroll nga Besnik Sula, njeri i afërt sipas tij me kryeministrin aktual.

Rama: Sali, flet si guvernatori i bankës së Lazaratit

Nuk ka munguar reagimi i kreut të qeverisë që ka thënë: “Sali, më dukesh si guvernatori i bankës së Lazaratit kur flet”. “Kur i bëje thirrje NATO-s sot më dukeshe tamam si Eskobari që i bënte thirrje botës së lirë që të mbronte familjen e tij”, ka thënë Rama.

Sipas tij, thirrjet e opozitës drejtuar ndërkombëtarëve ndodh në një kohë kur e gjithë bota i ka sytë në Shqipëri. “Është një përpjekje tipike e jotja dhe e partisë tënde, duke besuar se sa më shumë ta godisni policinë dhe ministrin e Brendshëm, aq më shumë publiku do të besojë se këto janë të vërteta”, ka thënë Rama, i cili ka shtuar se, raportet e Guardia di Finanza dhe Departamentit të Shtetit tregojnë të kundërtën e pretendimeve të opozitës.

Më tej Rama ka prekur edhe akuzat e bëra në adresë të tij lidhur me kompaninë “Armo”. “Pas asaj që ju bëtë me “Armon”, tani na akuzoni dhe na kërkoni llogari neve? Kompania është e zhytur në borxhe me bankat dhe zgjidhja e problemit varet nga marrëveshja e investitorëve me bankat. Çfarë lidhje kërkon ti Sali tani? Ç’hyn qeveria këtu? Ç’punë kemi ne?”, ka shtuar Rama.

Rama ka mbrojtur ligjin e mbetjeve, të ndryshuar së fundmi nga mazhoranca e tij, duke thënë se ai ofron garanci dhe siguri, ndryshe nga ligji i hartuar nga qeveria parardhëse.

“Ligji stimulon zhvillimin e një industrie që sot e ka të domosdoshme importin e objekteve të listës së gjelbër. Nëse ne nuk do të bënim këtë ndërhyrje do të falimentonim industrinë e riciklimit, do të linim rrugëve 1.200 punonjës, nuk do të ishim në pajtim me direktivën europiane dhe do të mbyllnim një front punësimi dhe pastrimi mjedisor”, ka deklaruar Rama.

Ai ka bërë me dije se, masa paralele që qeveria do të marrë është heqja e taksës prej 50 lekë të reja për kg për mbetjet plastike, “që pengon stimulimin e mëtejshëm të mbetjeve të brendshme”, ndërkohë që nuk do të lëvizë taksën për mbetjet nga jashtë, “që është 100 lekë të reja për kg”.

“Po flasim për një industri që në 3 vitet e fundit ka kryer investime serioze në infrastrukturën e vetë. Shqipëria ka fabrika të riciklimit të çertifikuara nga Bashkimi Europian”, ka shtuar Rama, duke shtuar se plerat do të përpunohen në impiante moderne.

Top Channel