Kamëz, fëmijët mbeten pa kopsht. S’paguhet qiraja, Mziu akuzon qeverinë

21/09/2016 00:00

Në Paskuqan, 130 fëmijë kopshti në “Kodrën e kuqe” e zhvillojnë mësimin në oborr. Prej disa ditësh, fëmijët dhe edukatoret nuk janë lejuar të futen në objektin që ka shërbyer një vit më parë si kopsht. Godina është private dhe pronari i saj ka mbyllur dyert, pasi bashkia nuk ka rilidhur kontratën e re.

“Jemi përpjekur të punojmë jashtë ambienteve të kopshtit, teksa i mbajmë fëmijët për rreth një orë apo 90 minuta. Mezi i ambientuam, i rregulluam e i qetësuam, ndërsa tani janë nxjerrë përjashtë”, thotë edukatorja.

Prindërit, të cilët nuk kanë ku t’i lenë fëmijët, janë të shqetësuar, ndërkohë që kanë bërë edhe pagesën prej 2.000 lekësh për regjistrim.

“Më kanë prishur shumë punë. Fëmija është i mitur, 4 vjeç e gjysmë, dhe ka nevojë të rrijë në një ambient ku ka fëmijë. Në shtëpi jam vetëm, s’kam çfarë t’i mësoj”, thotë një prind.

“Edhe dje e njëjta situatë ka qenë, fëmijët qëndruan jashtë. Brenda është edhe më keq, sepse kushtet janë skandaloze. Lekët, kontributet dhe taksat, çdo gjë që na është kërkuar i kemi paguar”, thotë një tjetër prind.

Kryetari i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu thotë se është përgjegjësi e qeverisë, pasi e ka persekutuar këtë zonë. Sipas tij, në 3 vite nuk i ka dhënë fonde për investime. Ndërkohë që premton një zgjidhje afatshkurtër.

“Deri në këto momente që ne flasim kemi marrë zero lekë për investime. Po themi qoftë për ndërtime të reja, qoftë për ristrukturimin. Qeverisja qendrore duhet të bëhet pjesë e kësaj zgjidhjeje. Unë do të mundohem të gjej mënyra ligjore dhe bashkëpunuese me ndonjë biznes, për të mundësuar pagesën e qirasë, por nuk besoj se është qiraja e kopshtit problemi i tyre madhor. Problem është ndërtimi i objekteve, që mund të vijnë t’i ndërtojnë ata të qeverisë”, tha Xhelal Mziu.

Top Channel